HomePolitikë

Guvernatori i Porto Ricos jep dorëheqjen pas protestave masive

Në kryeqytetin e Puerto Rikos të mërkurën mbrëma shpërtheu gëzimi nëpër rrugë, menjëherë pasi guvernatori i Ricardo Rossello njoftoi dorëheqjen, pas disa ditë protestash masive në rrugët e kryeqytetit.

Në një fjalim në video të postuar në faqen e Facebookut të qeverisë, guvernatori njoftoi se do largohej nga posti më 2 gusht, duke thënë se arritjet e administratës së tij do të kërcënoheshin, nëse ai do të vazhdonte të qëndronte në post.

Ricardo Rossello është guvernatori i parë që heq dorë nga posti, që nga koha kur ky territor i Shteteve të Bashkuara filloi zgjedhjen e drejtpërdrejtë të guvernatorëve në vitin 1947. Vendin e tij do ta zerë sekretarja e drejtësisë Wanda Vazquez, i cila ishte në rendin e pasardhësve, pasi sekretari i shtetit Luis Rivera Marin dha dorëheqjen lidhur me një bisedë në internet që shkaktoi skandal dhe që përfundoi me fundin e mandatit të guvernatorit Rossello.

Mijëra njerëz që ishin mbledhur jashtë rezidencës së guvernatorit në qytetin e vjetër historik të San Juan filluan të festonin në mënyrë spontane pas përfundimit të fjalimit të guvernatorit Rossello, duke valëvitur flamuj dhe duke kënduar.

Lajmi gjithashtu u prit me entuziazëm nga kryetarja e Bashkisë së San Juanit, Carmen Yulin Cruz, e cila kishte njoftuar tashmë synimin e saj për të kandiduar kundër Rossellos vitin e ardhshëm.

Zemërimi publik që çoi në dorëheqjen e guvernatorit shpërtheu gati dy javë më parë, kur Qendra për Gazetari Investigative e ishullit publikoi rreth 900 faqe të zbardhura nga bisedat on line në grup midis zotit Rossello dhe disa ndihmësve të lartë dhe bashkëpunëtorëve që përfshinin mesazhe pa respekt dhe të mbushura me përbuzje për viktimat e Uraganit Maria të vitit 2017, si dhe shaka homofobike kundër kundërshtarëve politikë të guvernatorit Rossello.

Publikimi i bisedave shkaktoi zemërim të madh në mesin e portorikanëve, të rraskapitur nga vitet e korrupsionit dhe keqmenaxhimit publik, që e lanë territorin e Shteteve të Bashkuara nën kontrollin e një bordi mbikëqyrës të mandatuar nga Kongresi, për ta udhëhequr atë të dalë nga një krizë borxhesh prej miliarda dollarësh.

Ricardo Rossello dha dorëheqjen si kreu i Partisë së Re Progresive gjatë një fjalimi televiziv të dielën dhe tha se ai nuk do të kërkonte të rizgjidhej.


TË NGJASHME