HomeSociale

‘Habilajt’/ Dosja ndahet në tri pjesë

Pas 9 seancash të dështuara, Gjykata për Krime të Rënda ndau dosjen e grupit të Habilajve, duke vazhduar gjykimin veç për të vetmin të arrestuar në Shqipëri, Armand Koçerrin.

Procesi për Moisi Habilajn dhe 3 persona të tjerë të arrestuar në Itali, do të vazhdojë pasi të marrin dijeni për procesin me anë të letërporosive të dërguara.

Ndërkohë, me anë të një vendimmarrje të djeshme, Krimet e Rënda pezulluan gjykimin për vëllain e Moisi Habilajt, Florian Habilajn, dhe 3 të tjerë, pasi pas kërkimeve nuk është bërë e mundur gjetja e tyre.

Procesi për ta do të fillojë pas një viti, ose nëse arrestohen. Gjatë seancës, avokati i Armand Koçerrit kërkoi përjashtimin e një prej gjyqtarëve të trupit gjykues, pasi ka marrë vendime për dosjen në ngarkim të Taulant Haxhirajt, i cili është dënuar si pjesë e grupit të Treblovës, që dyshohet se kultivonte kanabisin e Habilajve.

Këta të fundit e trafikonin në Itali. Për këtë shkak, seanca u shty për në 25 shtator, në mënyrë që kërkesa e avokatit të shqyrtohet nga një gjyqtar tjetër. Të ashtuquajturit si grupi i Habilajve akuzohen për trafikimin e tonelatave me kanabis në Itali, ndërsa hetimet për ta nisën pasi Prokuroria italiane finalizoi hetimet 3-vjeçare dhe lëshoi urdhërarreste për ta.

HETIMET

Duke iu referuar të dhënave nga Prokuroria e Katanias, të zbardhura nga mediat italiane, grupi i shkatërruar gëzonte në Shqipëri një mbështetje nga një pjesë e Policisë.

Sipas “Meridionews”, droga trafikohej nëpërmjet detit në Itali dhe më pas, aty i shpërndahej klaneve mafioze. “Organizata, e cila në Shqipëri gëzonte mbrojtje nga disa eksponentë të Policisë, të cilët ishin të implikuar, kryente trafikun kryesisht nga deti, falë mbështetjes së disa anijeve të peshkimit.

Në momentin që droga arrinte në Itali, ajo kalonte në nivelin e dytë. Disa persona të tjerë e blinin atë, dhe më pas, e rishisnin te pasuese të klaneve të mafies, kryesisht të provincave të Katanias, Sirakuzës dhe Raguzës”, shkruante disa muaj më parë “Meridonews”.

Më tej, media italiane shkruan edhe për hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe marrjen në pyetje të Moisi Habiljat në Itali për llogari të Shqipërisë. “Hetimet italiane u bashkuan më pas me një dosje nga Prokuroria e Krimeve të Tiranës. I afërmi i Habilajt, i cili ka qenë ministër, është nën hetim.

Saimir Tahiri ka hedhur poshtë akuzat. Në Itali, prokurorët shqiptarë arritën disa muaj më parë. Në pyetjet e tyre, në burgun Bicocca, Habilaj vendosi të përgjigjet, por përmbajtja e procesverbalit, të paktën për momentin, nuk është zbuluar”, përfundonte shkrimi i “Meridionews”./panorama.al


TË NGJASHME