HomeSociale

Hapen qendrat, nis zyrtarisht procesi i votimit për kryebashkiakët e rinj

Ka nisur zyrtarisht në orën 07:00 procesi i votimit në vend. Janë hapur qendrat e votimit, sikur është e parashikuar në ligj, ndërkohë që sot votohet për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive në vend.

Zgjedhjet lokale sot zhvillohen në 61 bashki për këshillin dhe kryetarët në mbarë vendin, por garë ka vetëm në 30 bashki, pasi në 31 të tjera Partia Socialiste është e vetmja që ka kandidat. Ne gare jane 97 kandidatëve për kryebashkiakë, 10 janë gra dhe 23 prej te kandidateve te PS rikandidojnë për një tjetër mandat.

Në të gjithë vendin pritet të hapen 5417 Qendra votimi, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme KQZ njoftoi se, sipas Kodit Zgjedhor u shpërndanë materialet zgjedhore në 90 KZAZ. Të drejtën për të shkuar te kutia e votimit e kanë 3.464.328 qytetarë shqiptarë. Ata do të vendosin shenjën e tyre në dy fletë votimi: për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive, si dhe parlamentet lokale, pra këshillat bashkiakë.

Në zgjedhje marrin pjesë gjithsej 36 parti. Ato janë të ndara në dy koalicione: Aleanca për Shqipërinë Evropiane drejtuar nga PS dhe që përmban dhe 19 parti të tjera, Koalicioni Shpresa për Ndryshim me 6 parti, e udhëhequr nga Aleanca Kuq e Zi, ndërsa 9 parti garojnë jashtë koalicioneve.

Kujtojmë se këto votime bëhen në kushte jo të zakontë, pasi Presidenti i vendit, Ilir Meta ka dekretuar një tjetër datë zgjedhjesh, 13 tetorin, duke theksuar se data e sotme nuk është legjitime.

Po ashtu, për të parën herë në këto zgjedhje nuk garon opozita, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, e cila e cilëson këtë një proces farsë dhe jo të ligjshëm.

Prej orës 07:00 deri në orën 19.00 qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura. Ndërkohë që në terren do të jenë 7779 punonjës të policisë, nga të cilët 5876 punonjës do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve dhe 1450 punonjës policie do të jenë në funksion dhe gatishmëri të procesit zgjedhor.


TË NGJASHME