HomeTeknologji

Hapet impianti “grackë” që thith CO2 dhe e shndërron në gur

Fabrika më e madhe në botë e krijuar për të thithur dioksidin e karbonit nga ajri dhe për ta kthyer atë në gur ka filluar të funksionojë, thanë kompanitë që qëndrojnë prapa projektit.

Makineria, e quajtur Orca pas fjalës Islandeze “orka” që do të thotë “energji”, përbëhet nga katër njësi, secila e përbërë nga dy kuti metalike që duken si kontejnerë transporti.

I ndërtuar nga Climeworks i Zvicrës dhe Carbfix i Islandës, kur operon me kapacitet, uzina do të tërheqë 4000 ton dioksid karboni nga ajri çdo vit, sipas kompanive.

Sipas Agjencisë Amerikane të Mbrojtjes së Mjedisit, kjo barazohet me emetimet nga rreth 870 makina. Ndërtimi i uzinës kushtoi nga 10 deri në 15 milionë dollarë, raportoi Bloomberg.

Për të mbledhur dioksidin e karbonit, makineria përdor ventilatorët për të tërhequr ajrin në një kolektor, i cili ka një material filtri brenda.

Pasi materiali i filtrit mbushet me CO2, kolektori mbyllet dhe temperatura ngrihet për të liruar CO2 nga materiali, pas së cilës gazi shumë i koncentruar mund të mblidhet.

CO2 pastaj përzihet me ujin para se të injektohet në një thellësi prej 1.000 metrash në shkëmbin bazalt aty pranë, ku mineralizohet.

Përkrahësit e të ashtuquajturës kapje dhe ruajtje të karbonit besojnë se këto teknologji mund të bëhen një mjet kryesor në luftën kundër ndryshimit të klimës.

Kritikët megjithatë argumentojnë se teknologjia është ende tepër e shtrenjtë dhe mund të duhen dekada për të funksionuar në shkallë.


TË NGJASHME