HomeSociale

Hapet qarkullimi në Bypass-in e Fierit, Balluku: 35 minuta më pak për të shkuar në Vlorë

Bypass-i i Fierit, është tashmë i hapur duke shkurtuar në këtë mënyrë distancën mes Tiranës dhe Vlorës, si dhe duke shmangur trafikun e krijuar veçanërisht gjatë sezonit veror në aksin e vjetër që kalon përmes Levanit.

Kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato inspektuan këtë segment rrugor.

Ministrja Balluku bëri të ditur se ndërtimi i këtij aksi dhe vendosja në funksion shkurton me 35 minuta distancën me Vlorën teksa shtoi se në bashkëpunim edhe me policinë rrugore janë marrë të gjitha masat për menaxhimin e trafikut.

“35 minuta më pak na duhen për të shkuar në Vlorë. Policia rrugore ka marrë të gjitha masat për të siguruar gjithçka”, deklaroi Balluku.

Përfaqësuesi i kompanisë që po realizon punimet, garantoi se në muajin nëntor të këtij viti do të vihet në funksion edhe korsia tjetër e këtij aksi, ndërsa e gjithë vepra do të jetë plotësisht e përfunduar, ashtu siç parashikon kontrata, në shkurt të vitit të ardhshëm.

“Në nëntor hapet dhe tjetër, domethënë për 28 nëntorin për në Vlorë i kemi të dyja? Shumë mirë”, u shpreh kryeministri Rama.

Bypass-i i Fierit, ka një gjatësi prej afro 22 kilometrash. Brenda dy javëve pritet të përfundojnë punimet edhe për vënien në funksion të kryqëzimit të Levanit i cili do të bëhet të mundur kalimin në këtë aks rrugor të mjeteve të cilat lëvizin në drejtim të Tepelenës dhe anasjelltas.

Projekti i Bypass-it të Fierit parashikon gjithashtu edhe ndërtimin e rrugëve dytësore gjatë gjithë gjatësisë në të dyja anët e rrugës.


TË NGJASHME