HomeSociale

Hapet Qendra Komunitare Multidisiplinare në Elbasan, Balla: Detyrim t’u garantojmë

Është hapur në Elbasan Qendra Komunitare Multidisiplinare falë mbështetjes që Qeveria Gjermane dhe Terre des homes Albania i kanë dhënë Bashkisë së Elbasanit.

Aktualisht në këtë qendër po zbatohet projekti “Zbatimi i aksesit dhe riintegrimi i fëmijëve, të rinjve dhe familjeve të kthyera nga emigrimi, në edukim, punësim dhe shërbime sociale.”

Objektivat e këtij projekti janë lehtësimi i riintegrimit të familjeve të kthyera në Shqipëri duke përmirësuar qasjen e tyre në punësim, shërbime sociale dhe nevojat të tjera për të jetuar në dinjitet.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja panë nga afër shërbimet që ofrohen në këtë qendër.

Në fjalën e tij, Balla tha se janë me mijëra ato familje, të cilat pasi kanë provuar emigracionin, janë rikthyer dhe është detyrim i yni t’u garantojmë një riintegrim sa më të shpejtë në shoqëri

“Është një projekt shumë i madh që zhvillohet në bashkëpunim me një sërë institucionesh shtetërore shqiptare. Janë me mijëra ato familje, të cilat pasi kanë provuar emigracionin, janë rikthyer dhe është detyrim i yni t’u garantojmë një riintegrim sa më të shpejtë në shoqëri, në tregun e punës si dhe një trajtim social të diferencuar për shkak të problemtikave që kanë pasur.

Ky projekt vjen në momentin e duhur. Jo vetëm Bashkia Elbasan, por do të keni mbështetje në të gjitha bashkitë e vendit. Projekti i Ambasadës gjermane ka në fokus të tij edhe riaftësimin për punë në mënyrë që të përshtaten me kërkesat e tregut” tha Balla.

Ndërsa kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja theksoi se të tilla projekte duhet të zgjerohen edhe në fshatra
“Ajo që ne duam është të kemi një shoqëri të barabartë dhe kushte të barabarta për të gjithë, qytet e fshat. Të kthyerit nga emigracioni kanë një rëndësi të veçantë për t’u riintegruar në shoqëri. Do të kemi edhe projekte të tjera, pasi edhe nevojat janë të mëdha”, tha Llatja.


TË NGJASHME