HomePolitikë

Hapet segmenti i dytë i Bulevardit të Ri, Veliaj: Shembull i kontrastit mes atyre që punojnë dhe atyre që sabotojnë

Bashkia e Tiranës njoftoi këtë të hënë përfundimin e segmentit të dytë prej 500 metrash, të “Bulevardit të ri”, duke bërë kështu funksionale për automjetet rrugët nga ish-“Stacioni i trenit” deri te kryqëzimi me rrugët “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”. Në fundin e këtij segmenti ka edhe një shesh të tretë, që ofron një mjedis çlodhës për banorët e zonës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi cilësinë e punimeve, si dhe faktin që tashmë zgjidhet një nyje që shkaktonte trafik.

“Jam shumë i lumtur që kemi hapur sot sheshin e tretë të bulevardit dhe, ende pa përfunduar pjesa finale e tij është funksional për automjetet. Ata që banojnë në njësitë 8 dhe 9, të lidhur përmes rrugëve “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”, kanë një mundësi të shkëlqyer të shkurtojnë kohën e tyre në trafik, duke kaluar nga njëra njësi te tjetra, duke e parë bulevardin si urë dhe jo si ndarje. Jam shumë i lumtur që zgjidhet një nyje e trafikut, që i afrohet asaj që në të ardhmen do të jetë unaza e katërt e Tiranës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës nënvizoi kontrastin që ka sjellë puna e bërë gjatë këtyre viteve në këtë projekt, në krahasim me administratën e shkuar.

“Kur e nisëm këtë punë para 4 vitesh kemi qenë tek ish-stacioni i vjetër i Trenit dhe është e pabesueshme sa ecet kur punohet. Teksa shoh kontrastin, tani që po i afrohemi lumit dhe ku investimi ynë në lumin e Tiranës na ndan nga bashkia që vjen e proteston çdo ditë në Tiranë; teksa shoh që në anën tjetër të lumit vazhdon e hidhen plehra, të digjen plehra, i gjithë tymi vjen në Tiranë, u them që ju mirëpresim! Tani ju kemi bërë edhe një bulevard të ri, mund të vini të protestoni për çdo gjë, por fillimisht na tregoni, si e bëni ju këtë punë! Para se të mobilizoheni të rrëzoni qeverinë dhe ata që kanë sjellë gjithë këtë zhvillim e progres për Tiranën, na thoni nga kush duhet të marrim shembull? Unë nuk besoj se në Tiranë duhet të vazhdojnë të hidhen më plehra në lumë, në Lanë apo në Erzen; nuk besoj se duhet të digjen më plehra, ndërkohë që kemi një mënyrë moderne sot të përpunimit; nuk besoj që rruga, dhuna, pengesa, sabotimi është mënyra për të ecur përpara”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Ai vuri në dukje se projekti i “Bulevardit të ri” po vijon edhe për pjesën tjetër, e do të mbyllet me një shesh ceremonial, i ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”.


TË NGJASHME