HomeSociale

Haradinaj dënon sulmin ndaj gruas rome: Ja fajtorët

IPërmes një shkrimi në Facebook, i pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar se ky agresion i adoleshentëve ndaj qytetarëve për shkak të përkatësisë së tyre etnike është i turpshëm dhe i dënueshëm.

“Ne, me shumë mund e sakrifica po ndërtojmë një shtet të drejtë dhe një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku të gjitha komunitetet janë të lira e të barabarta, prandaj sulmet mbi pjesëtarë të komuniteteve pakicë, bien ndesh me vlerat tona tradicionale dhe parimeve ligjore dhe nuk do të tolerohen”, ka shkruar kryeministri.

Më tej Haradinaj ka bërë thirrje organeve të zbatimit të ligjit që të marrin të gjitha masat konform normave ligjore duke kërkuar edhe nga prindërit e arsimtarët që të kenë kujdes në edukim.

“U bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit që të marrin të gjitha masat konform normave ligjore, ndërsa nga prindërit dhe arsimtarët kërkoj të kenë kujdes të shtuar për fëmijtë e tyre, në edukimin e drejtë si preventiva më adekuate kundër çdo lloj manifestimi të dhunës dhe urrejtjes”, ka shkruar Haradinaj.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj sulmit fizik që iu bë ditën e sotme gruas rome, duke fajësuar familjet, shkollat dhe shtetin.

Ai shton se pamjet e sulmit tregojnë shtetin e dështuar në rrënjë. Të rinjtë i ka quajtuar gjeneratë e paditur përplotë urrejtje e shkollat fabrika të paditurisë.

Reagimi i plotë i tij:

Ja pra. Kjo është fotografia e shtetit tonë; e shoqërisë sonë. Rezultat përfundimtar i një vendi të kapur. Kështu përfundon.

Një grua e shtrirë përtoke dhe një turmë që brohoret e aplaudon. Një gjeneratë e humbur, e paditur dhe me urrejtje plot. Një gjeneratë që shtypë të ligun ani pse babë, nënë, gjysh e gjyshe të shtypur i kishin gjithnjë.

Kjo është fotografia e fabrikave të paditurisë që i quajmë shkolla rëndom. Ja çfarë po krijojmë. Me rëndësi autostradat miliardëshe e urat më të gjata në rajon.

Kjo është fotografia e shtetit të dështuar në rrënjë. E një policie që s’reagon; e një gjyqësie që s’dënon, e një politike që jep shembull se gangsterizmi është krejt i zakonshëm. Huliganë lartë, huliganë poshtë, s’ka si të del ndryshe.

Jemi në krizë. Morale, intelektuale, njerëzore.


TË NGJASHME