HomePolitikë

Haradinaj: Duhet një marrëveshje kornizë si garanci për…

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, ka folur për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe për liberalizimin e vizave.

Për të vazhduar bisedimet me Beogradin, ai thotë se është e nevojshme krijimi dhe arritja e një marrëveshjeje kornizë, ku do të listoheshin gjërat që do të diskutohen e që do të dërgonin deri te njohja reciproke.

“Nuk kemi nevojë për dialog për turizëm, por një dialog bazë një marrëveshje kornizë, për çka do të flasim. Nuk e kuptoj unë se pse dikush duhet të m’i përmend ende kufijtë, kur dy vende kanë IBM. Atëherë pse kemi bë marrëveshje, pse BE-ja ka bërë investim. Prandaj duhet të bëjmë një kornizë. Për turizëm shkojmë në Paris edhe për qejf, nuk do të bëjmë asnjë hap të gabueshëm. Unë nuk do të marrë pjesë në asnjë ngjarje, që s’ka qartësi se pse dhe si do të ecë procesi më tutje”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, nuk ka nevojë që dy shtete që kanë nënshkruar IBM-in (Marrëveshjen për Menaxhim të Integruar të Kufijve), të kthehen edhe një herë tek tema e kufijve.


“Por edhe në vjeshtë nëse rikthehet dialogu te përfaqësuesi i lartë i BE-së, i riu, prapë duhet një marrëveshje kornizë, për t’u ditur se për çfarë po diskutohet. Pa këtë marrëveshje kornizë, të njohjes reciproke Kosovë-Serbi, nuk ka logjikë. Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për IBM (Menaxhim të Integruar të Kufijve). Kur po pyet nganjëherë se për cilët kufij e kemi fjalën, për këta të IBM-së, sepse jemi marrë vesh për ata kufij. Kosova ka marrëdhënie shumë të avancuara për menaxhimin e kufijve. Nuk mundet Kosova të rikthehet për të diskutuar IBM-në, prandaj marrëveshja kornizë, për çka do të diskutojmë, është garanci se a do të diskutojmë më tutje, se a do të ketë dialog a jo”, sqaron Haradinaj.

Pas takimit me kancelaren Angela Merkel, kryeministri Ramush Haradinaj u pa shumë më pesimist se sa herëve të tjera për liberalizimin e vizave.

“Është mënyrë e të shprehurit sepse e di që si Kosovë e kemi punën mirë për liberalizimin e vizave. Duhet të jemi serioz dhe të vazhdojmë të mbetemi në temë. Kam kufizimet e mia sa mund të flasë dhe mund të hyjë në detaje në këtë etapë, por mund t’iu siguroj se e kemi punën mirë për liberalizimin e vizave. Nuk do të shkojë fare larg deri te marrja e njoftimeve të caktuara. Jemi në proces dhe po punojmë. Jemi palë serioze – nuk do të na trajtonte Gjermania në atë nivel të marrëdhënieve sikur të mos ishim palë serioze. Mënyra e pritjes është një ndihmë e jashtëzakonshme në çdo dimension të marrëdhënieve tona, qoftë në rajon apo edhe në Europë. Një trajtim i tillë prej kancelares Angela Merkel ndikon edhe te vendet e rajonit”-ka thënë Haradinaj në “Klan Kosova”.

Por, kur do të mund të lëvizin kosovarët pa viza në vendet e Bashkimit Europian?

Nuk flasim për vitin tjetër – punojmë për këtë vit. Nuk është optimiste, është bukur reale tash. Do të kemi lajme të mira së shpejti. Janë disa vështirësi. Ne po bëjmë përpjekje të mos krahasohemi me asnjë temë, por të jemi temë në vete.


TË NGJASHME