HomePolitikë

Haradinaj: Jam si ushtar i Amerikës, zbatoj urdhrat

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Haradinaj tha se është ushtar i Amerikës, por i zbaton urdhrat siç e parasheh terreni. “Populli shqiptar i takon botës që e udhëheq Amerika. Marrëdhënia e Kosovës me Serbinë është e ndjeshme, se kemi pas luftë e tragjedi. Qëndrimet tona në lidhje me Serbinë dhe Rusinë janë të qarta dhe të ngjashme si ato që i ka Amerika ndaj tyre..”, tha Haradinaj.

I pyetur për taksën, Kryeministri i Kosovës u përgjigj se, “Unë jam njeri i terrenit si ushtari i Amerikës në terren, unë i zbatoj urdhrat, por i zbatoj si e parasheh terreni. Besoj se duke forcuar Kosovën, forcojmë interesin amerikan dhe largojmë interesin rus dhe të tjerëve”.

Haradinaj e dha intervistën pas takimeve me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar atje. “Kanë bërë një organizim që është për respekt. Kujtuam ditën e kryengritjes së Malësisë së Madhe, po edhe ditën e flamurit. Pra, urime të gjithëve këtë ditë krenare”, tha Haradinaj. Kjo është vizita e parë e Ramush Haradinajt si Kryeministër në SHBA.

Haradinaj ka vizituar njërën nga kompanitë më të suksesshme të Detroit, “Bedrock”, ku partnerë teknologjikë në ndërtim janë edhe dy shqiptaro-amerikanë me origjinë nga Kosova, Etrit dhe Edi Demaj. Ai deklaroi se qeveria do të jetë partner konstruktiv në çdo mundësi dhe projekt për zhvillim ekonomik të vendit.


TË NGJASHME