HomePolitikë

Hashim Thaçi mesazh të fortë: Liderët e BE nuk duhet të bëjnë gabimet…

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë ka filluar që përmes “video-selfie” të përcjellë mesazhe për ngjarje të ndryshme gjeopoliitike. Kreu i shtetit në Kosovë ka komentuar takimin e javës së kaluar me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Frederica Mogherinin, ku të pranishëm ishin dhe liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Gjatë javës që lamë pas zhvilluam një darkë pune në Bruksel me znj. Mogherini. Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor treguan përvojat e punës, sfidat dhe ballafaqimet për të ardhmen europiane të vendeve tona. Ishte konkludim i përbashkët i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe një zhgënjim masiv i shprehur për mosangazhimin konkret të Bashkimit Europian për shtetet e rajonit tonë”, ka thënë Thaçi në profilin e tij në Instagram.

Ai më tej ka theksuar se një zhgënjim ky që përcillet edhe në Kosovë, në veçanti me jo liberalizimin e vizave, kur ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Kjo sipas tij po ndodh për shkak të mungesës së unitetit europian. Por, ne e kemi vetëm një të ardhme, atë europiane.

“Prandaj, BE-ja dhe liderët e saj, në këtë kohë të mungesës së vizionit të tyre duhet të dëshmojnë se nuk do t’i bëjnë gabimet e liderëve të fillimviteve të 90-ta të BE-së, në kohën e fillimit të krizës jugosllave. Sepse, gjithmonë në Ballkanin Perëndimor ka potenciale të rrezikshme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, ka shtuar ai.

Thaçi në këtë video ka thënë se Kosova dëshiron të besojë se BE-ja do të fillojë të ndryshojë pozitivisht për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.


TË NGJASHME