HomePolitikë

Hekurudhë Durrës-Prishtinë/ Këto janë marrëveshjet që do të nënshkruhen nesër mes Shqipërisë dhe Kosovës

Në mbledhjen e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë pritet të nënshkruhen 16 marrëveshje. Të premten në Elbasan, në mbledhjen e shtatë me radhë, fokusi i dy qeverive do të jetë në fushën e lëvizjes së lirë, arsimit, drejtësisë, infrastrukturës, kulturës dhe lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar.

Të premten e 26 nëntorit (nesër) në Elbasan do të mbahet mbledhja e përbashkët, e shtata me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Është bërë me dije se në mbledhjen e qeverive pritet të nënshkruhen 16 marrëveshje.

Marrëveshjet që tashmë janë bërë të ditura, janë marrëveshja për sigurime shoqërore, ku është kërkuar autorizimi për nënshkrim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe marrëveshja për lejet e qëndrimit në afat 5-vjeçar, përmes një aplikimi të thjeshtë dhe ajo për lehtësimin e procedurës së njohjes së diplomave.

Do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi për studimin e fizibilitetit për ndërtimin apo rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë.

Po ashtu pritet të ketë edhe marrëveshje në fushën e sigurisë por të cilat deri më tani nuk janë bërë të ditura.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një deklarim për media dhënë disa detaje për mbledhjen e së premtes duke treguar se   do të nënshkruhen disa marrëveshje, memorandume bashkëpunimi dhe protokolle.

“Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë këtë javë do të mbajnë mbledhjen e përbashkët të shtatën me radhë. Mbledhja do të mbahen këtë të premte me 26 nëntor në Elbasan të Shqipërisë. Përgatitjet për këtë mbledhje janë drejtë finalizimit dhe ne presim të nënshkruajmë disa marrëveshje, memorandume bashkëpunim dhe protokolle, të cilat janë drejtë finalizimit. Ato përfshijnë fushën e lëvizjes së lirë, lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar, në fushën e arsimit, drejtësisë, infrastrukturës dhe kulturës”.

Kurse, ambasadori i ri i Kosovës në Shqipëri, Skender Durmishi, ka treguar se deri më tani janë në plan për të u nënshkruar 16 marrëveshje mes dy kryeministrave, Albin Kurtit dhe Edi Ramës.

“Çdo gjë është gati, mbledhja e dy qeverive mbahet nesër në Elbasan. Konsideroj se është i rëndësishëm për ecjen e mëtejme në zbatimin e programeve ligjeve dhe marrëveshjeve në të dy vendet. Agjenda parasheh që të ketë takime mes dy kryeministrave, udhëheqësve të kabineteve, ministrat e dikasterve do të takohen veç e veç dhe së bashku, ku edhe do të bëhet një vlerësim i dikastereve se sa janë zbatuar marrëveshjet. Do të ketë një ceremoni që pasohet me nënshkrimin e 16 marrëveshjeve”.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se marrëveshja në fushën e arsimit do të jetë për lehtësim të procedurës së njohjes së diplomave.

“Marrëveshja që do te nënshkruhet në fushën e arsimit është: Marrëveshje dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-te (të konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave). Në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore, të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucioneve të tjera të autorizuara”.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi ka treguar se të gjithë qytetarët e Kosovës do të mund të marrin lejen e qëndrimit në afat 5-vjeçar së bashku me lejen e punës në Shqipëri, vetëm me një aplikim të thjeshtë.

“Sot, miratuam një nga marrëveshjet që do të nënshkruajmë të premten mes Shqipërisë dhe Kosovës që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektiv. Është lajm i mirë për shtetasit e Kosovës që do të marrin thjesht me një aplikim lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe leja e punës”, tha Çuçi pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Po ashtu, gjatë fjalës së tij, ai ka lënë të kuptohet se do të ketë edhe të tjera marrëveshje brenda sektorëve që përfshinë Ministria e Brendshme.

“Është lajm i mirë edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë që do të marrin leje qëndrimi me procedura të thjeshtuara. Është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda sektorëve që përfshin Ministria e Brendshme”.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë mbledhje së Qeverisë së Kosovës ka deklaruar se kanë përfunduar me sukses negociatat për këtë marrëveshje.

“Bëhet fjalë për të kërkuar rekomandimin për autorizim për nënshkrim nga Presidentja e Kosovës lidhur me marrëveshjen për sigurime shoqërore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Qeveria e Kosovës e përfaqësuar fillimisht nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka përfunduar me sukses negocimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes të dy qeverive. Objektivi kryesor i kësaj marrëveshje është sigurimi i mbrojtjes shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy shtetet duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës si dhe e drejta në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale, apo shtylla e dytë”, tha gjatë mbledhjes Murati.

Tutje, Murati shtoi se me këtë marrëveshje qytetarëve që kanë punuar një kohë të gjatë në Republikën e Shqipërisë do tu mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejt që këtë pension ta marrin në Kosovë.

Kosova dhe Shqipëria deri tani kanë mbajtur 6 mbledhje të përbashkëta, deri më tani janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi.

Lista me të gjitha marrëveshjet

  • Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm
  • Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit
  • Marrëveshja ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash)
  • Marrëveshje ndërmjet Këshillit te Ministrave te Republikës se Shqipërisë dhe Qeverise se Republikës se Kosovës “Për ndihme te ndersjellte juridike ne çështjet civile dhe tregtare”
  • Për miratim, ne parim, te marrëveshjes, ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Republikës se Kosovës, për sigurimet shoqërore
  • Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave
  • Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor Shqipëri-Kosovë, për vitin 2021-2022
  • Marrëveshje Bashkëpunimi: në fushën e Trashëgimisë Kulturore midis MKRS & MK.
  • Protokoll Bashkëpunimi Ndërmjet Këshillit te Ministrave te Republikës se Shqipërisë dhe Qeverise se republikës se Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.
  • MoU për studimin e fizibilitetit për ndërtimin/rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë
  • Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Institucionit kompetent të palës kosovare.
  • Marrëveshje dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-te (te konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave)
  • Manual i Përbashkët për procedurat standarde të operimit në Doganën e Durrësit.
  • Manuali për procedurat standarde te operimit ne piken e përbashkët te kalimit kufitar (PPKK) Morine-Vermice
  • Marrëveshje dypalëshe për qasje të ndërsjellë në modulet e riskut
  • Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të RSH dhe Agjencisë Shtetëror të Arkivave të Republikës së Kosovës./ Burimi: Revista Monitor

TË NGJASHME