HomeSociale

Heqin dorë nga nënshtetësia mbi 5 mijë kosovarë

Mbi 5 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës kanë hequr dorë nga nënshtetësia kosovare vetëm në vitin 2019 për të zgjedhur një nga shtetet e Bashkimit Evropian, të cilët nuk e lejojnë dyshtetësinë.

Heqja dorë nga nënshtetësia e Kosovës ka shënuar shifra të mëdha në vitet e fundit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës nënshtetësitë që marrin më së shumti qytetarët e Kosovës janë nënshtetësia gjermane, austriake, sllovene, kroate etj. Qytetarët, të cilët kanë ndërruar nënshtetësinë e tyre nuk ndihen të kënaqur me vendimin që kanë marrë, edhe pse këtë gjë e kanë bërë për një të ardhme më të mirë për familjet dhe fëmijët e tyre.

I shqetësuar me numrin e madh të dorëheqjeve të nënshtetësisë është shprehur edhe profesori dhe analisti, Nexhmedin Spahiu. “Braktisja e nënshtetësisë së Kosovës është pasojë e moskultivimit të atdhedashurisë në dy dekadat e fundit, rezultati i një sistemi arsimor tërësisht të dështuar.” Sipas Spahiut edhe një jetë kulturore me vlera të përmbysura dhe kthimi i korrupsionit si metodë jetese kanë luajtur rolin e tyre. “Në kohën e pasluftës, tri ministritë e para që iu lanë në dorë vendorëve, ishin arsimi, kultura e shëndetësia. Si duket ky ishte një hap i parakohshëm, kur ne ishim ende të papjekur si shoqëri, si komb. Pastaj privatizimi ndodhi po ashtu herët, kur shoqëria kosovare ishte e papërgatitur për këtë hap. Të gjitha këto bënë që niveli i patriotizmit në Kosovë të jetë shumë i ulët.”, shprehet Spahiu.

Sipas të dhënave të studimit të rinisë të vitit 2019 të bërë nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung afërsisht 40 për qind e shqiptarëve të Kosovës dëshirojnë të migrojnë për një periudhë të shkurtër kohe prej më pak se pesë vjet. Arsyet ekonomike përmenden si arsyeja kryesore për migrim nga rreth 63 për qind e atyre që dëshirojnë të lënë Kosovën për të shkuar në një vend tjetër.


Zvicra dhe Gjermania janë vendet më të preferuara për migrim nga kosovarët, ato janë më të preferuarat në 49 për qind të rasteve. Në 49 për qind të rasteve. Sociologët vlerësojnë se nëse vazhdon ky ritëm i heqjes dorë nga nënshtetësia e Republikës së Kosovës nga qytetarët kosovarë, shteti do të ketë probleme të mëdha. Profesori dhe sociologu Fadil Maloku shprehet se në Kosovë dhe rajon po “shpërngulet truri” i shtetit. “Nëse vazhdon ky trend i “ikjes” apo edhe largimit të detyrueshëm të rinisë kosovare nga nënshtetësia edhe ashtu ende infantile të Kosovës, padyshim qe pasojat do jenë alarmuese. Në gjithë botën është një lloj recesioni, në rajon po ashtu dhe unë mendoj se Qeveria e Kosovës do të duhej të merrte disa masa preventive, që në njëfarë mënyre ta zbuste pakënaqësinë e kësaj ikjeje kaq masive të rinise kosovare nga vendi i tyre”, shprehet Maloku.

Mosliberalizimi i vizave, pamundësia për të parë shtetet e zhvilluara, shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë kanë bërë që qytetarët kosovarë të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar lirshëm. Disa prej tyre kanë vendosur që krahas nënshtetësisë kosovare ta kenë edhe nënshtetësinë serbe në të njejtën kohë në mënyrë që të lëvizin lirshëm.

Krahas qytetarëve kosovarë, të cilët kanë vendosur të kenë në të njejtë kohë pasaportën kosovare dhe pasaportën e ndonjë shteti tjetër fqinj, janë edhe politikanë e artistë shqiptarë nga Kosova, të cilët janë të pajisur me pasaportën e Shqipërisë. Era Istrefi, Majlinda Kelmendi, Edita Tahiri e të tjerë janë vetëm disa nga emrat e personaliteteve të njohur në Kosovë që posedojnë pasaportë të shtetit shqiptar. Sociologu, Fadil Maloku e sheh me sy kritik këtë. Pajisjen e politikanëve kosovarë me pasaporta të shtetit shqiptar dhe rekomandimi i tyre për qytetarët e Kosovës që nuk mund të lëvizin lirshëm që mos ta lëshojnë Kosovën ai e sheh si degradim dhe një pasqyrë shumë e keqe për qytetarët e vendit. “Ky është një degradim dhe një pasqyrë e keqe për qytetarët e vendit. Në mënyrë që ata të kuptojnë se kush në fakt e udhëheq këtë shoqëri të vonuar edhe ashtu në krahasim me shoqëritë e rajonit dhe ato të kontinentit. Shoqëritë shqiptare andej e këndej kufirit janë në krizë: morale, sociale, politike, e sidomos ekonomike e kulturore. Një fenomen, që pa dyshim është duke e përcjellë këmba-këmbës procesin e shtetndërtimit të Kosovës, është edhe ai i teprisë së politizimit apo tendencës së “ngjyrimit”, të çdo gjëje që prodhoi në ndërkohë jeta sociale dhe ajo politike në “betejat” e konsolidimit të institucioneve shtetërore dhe ridefinimit të kauzave reja demokratike”, përfundon Maloku.


TË NGJASHME