HomeSport

HIDHET SHORTEU/ Ja çiftet gjysmëfinaliste në Europa League

Arsenali, Chelsea, Valencia dhe Eintracht Frankfurt, janë katër skuadrat gjysmëfinaliste të Europa League, trofeu i dytë për nga rëndësia në kontinent.

Raundi i çerekfinaleve, ishte një raund, që u mbyll pa shumë surpriza. Arsenali, eleminoi Napolin, duke fituar edhe ndeshjen e dyte 1-0. Goli i vetëm i ndeshjes, u shënua nga një goditje perfekte e Lacazette, duke e lënë portierin e Napolit të palëvizur dhe duke heshtur ‘San Paolo’.

Chelsea mendoi të argëtonte tifozët e pranishëm në ‘Stamford Bridge’, duke fituar sërish ndaj Slavia Prague, por këtë herë me një rezultat më të ngushtë, 4-3. Dopieta e Pedro Rodriguez, autogoli i Simon Deli dhe goli i Olivier Giroud, i bënë të pavlefshëm golat e Tomas Soucek dhe Petr Sevcik.

Në derbin iberik, Valencia fitoi me rezultatin e pastër 2-0 ndaj Villarealit duke siguruar kualifikimin për në fazën tjetër. Golat u shënuan nga Toni Lato dhe Guedes.

Ndërsa përballja më e bukur dhe më dramatike, ishte ajo mes Eintracht Frankfurt dhe Benfica. Gjermanët, kishin humbur 4-2 në ndeshjen e parë, por arritën të fitonin 2-0 në Gjermani, duke u kualifikuar falë golave në fushën kundërshtare. Heronjtë e skuadrës gjermane ishin Kostic dhe Rode.

Gjysmëfinalet janë Arsenal-Valencia dhe Eintracht Frankfurt-Chelsea, të cilat do të zhvillohen në 2 dhe 9 Maj. Finalja e madhe e këtij kompeticioni do të zhvillohet në Baku, Azerbajxhan, në stadiumin ‘Olimpik’, më datë 29 maj.


TË NGJASHME