HomeLajme

Historia e drejtoreshës së CIA-s Gina Haspel me Nënë Terezën

Gina Haspel është emëruar nga Presidenti Donald Trump si drejtoreshë e CIA-s

Emërimi ka nevojë për miratimin e Senatit Amerikan dhe e kaluara e saj është vënë mënjehërë nën lupën e medias dhe kritikëve, disa prej të cilëve e akuzojnë për pjesëmarrje në rastet e torturave të të dyshuarve për terroristë, në vitet pas 11 Shtatorit.

CIA ka kërkuar ndjesë për këto raste dhe ka ndaluar çdo përdorim dhune në marrjet në pyetje, mirëpo kritikë liberal mendojnë se asnjë zyrtar i përzjerë me atë periudhë nuk meriton të jetë në krye të agjensisë.

Mes ngjarjeve nga e kaluara që kanë dalë në pah këto ditë është edhe një që ka të bëjë me murgeshën e famshme shqiptare, Nënë Terezën.

Ishte fillimi i viteve 1980, kur Gina Haspel po bënte udhëtimin e saj parë, jashtë Shteteve të Bashkuara, si punonjëse e CIA-s.

Si fillestare asaj i kishte rënë që të punonte gjatë një fundjave, në Ambasadën Amerikane, kur e kontaktuan për t’i dhënë informacionin se kishte telefonuar humanitarja laureate e Çmimit Nobel, Nënë Tereza me dëshirën për të realizuar një bisedë me Presidentin e atëhershëm të Amerikës, Ronald Reagan.

Haspel e kishte ftuar menjëherë për bisedë në Ambasadë, Nënë Terezën dhe ajo i kishte shpjeguar kërkonte të fliste me Presidentin Reagan në lidhje me mungesën e drithit në një vend të tretë, ku mesa duket njerëzit po vuanin për bukën e gojës. Cili ishte ky vend i tretë mbetet ende mister se qeveria amerikane e mban ende të klasifikuar informacionin.

Pas kësaj Gina Haspel u lidh me Departamentin e Shtetit dhe që aty u realizua lidhja telefonike me Presidentin Reagan.

Mirënjohëse për ndihmën që i dha, Nënë Tereza e ftoi Gina Haspelin që të vizitonte një jetimore për të cilën kujdesej. Pas kësaj, fëmijët e jetimores vizituan Ambasadën Amerikane nën kujdesin e Gina Haspelit.

Zonja Haspel ka pasur shumë detyra gjatë karrierës së saj. Ajo flet shumë mirë turqishten dhe rusishten, për shkak të operacioneve që ka drejtuar në Azi, në kohën e Luftës së Ftohtë, por flet edhe spanjisht e frëngjisht.

Nëse miratohet nga Senati Amerikan, ajo do të jetë e para grua në histori që do të drejtojë CIA-n. Gjithashtu, pas George Tennet, prindërit e të cilit ishin emigrant të lindur në Shqipëri, Gina Haspel do të jetë drejtuesja e dytë e CIA-s në histori që ka një lidhje personale me botën shqiptare/360grade.al

 

 


TË NGJASHME