HomeSport

Historia e një “kampioni”/ Klevis Çelaj i pamposhtur në ring, por jo në jetë

Më 7 nëntor, në pallatin e sportit “Farie Hoti” në kryeqytet, u zhvillua kampionati i boksit ‘Elite’. Mes shumë ndeshjeve dhe sportistëve që morën pjesë, spikati Klevis Çelaj. Boksieri me origjinë nga Vlora i shpallur kampion në peshën 50 kilogramë. Deri këtu gjithçka është në rregull, po çfarë fshihet pas kampionit Çelaj? Historia e tij është e trishtë dhe prekëse.

Nga të gjithë kundërshtarët e tij, Klevisi është ai që stërvitet në kushte aspak të barabarta me ta. Një palë doreza boksi, një thes dhe një litar, këto janë të vetmet mjete të stërvitjes të një kampioni kaq të talentuar. Mjerimi dhe varfëria kanë depërtuar aq thellë, por sërish Klevisi nuk dorëzohet dhe boksi është ajo çfarë e bën të ndihet i lirë dhe për pak minuta të mos ketë asgjë në mendjen e vetë veç synimin, fitoren.

Bashkia e Vlorës dhe Federata e Boksit, kanë treguar 0 mbështetje dhe shpërblimi më i madh për Klevisin janë vetëm 14 mijë lekë të reja që mori pas fitores në kampionat. Një shpërblim i pavlerë, sepse e parë në sytë e Klevisit më shumë sjell zhgënjim sesa forcë për t’i dhënë më shumë këtij sporti.

Së fundmi, Çelaj ishtë i ftuar në një emision në “TV Klan”, ku foli për veten, familjen, vështirësitë, por edhe synimet për ëndrrën e tij më të madhe, boksin. Me lot në sy kampioni tregon sesi, varfëria dhe mungesa e mbështetjes e ka ‘dënuar’ gjithmonë për të realizuar ëndrrat dhe qëllimet e tij.

“Po ja të shikosh motrën e vogël, të kesh një pjatë gjellë dhe të shkosh 5 veta në shtëpi , s’di kujt t’ja japësh më përpara atë pjatë. Jam menduar, kujt t’ja jap më përpara”, ka thënë kampioni i boksit, i cili ka shpërthyer në lot gjatë emisonint.

“Më vjen keq që jam 30 vjeç dhe s’kam dalë njëherë jashtë shtetit. Se kam kaluar ndonjëherë, vetëm brenda Shqipërisë, s’kam bërë asgjë, kam vuajtur shumë… Zakonisht mundohem që mos i’ua shpreh njerëzve, vetëm buzëqesh sado përbrenda jam”, shtoi më tej Çelaj.

Shqipëria, është një vend i vogël, por në të gjithmonë rriten shumë talente. Talente që shumë herë, nuk arrijnë kurrë të shpërthejnë për shkak të pamundësisë së madhe. Mungesa e një përkrahje sado të vogël nga shteti çon në shkatërrimin e ëndrrave të këtyre talenteve. Pas rastit të Klevis Çelaj, na mbetet vetëm shpresë se dikush atje lart do të ndërgjegjësohet dhe historia e tij të jetë e fundit e këtij lloji.


TË NGJASHME