HomeLajmi i Fundit

I dehuri drejton makinë me shpejtësi nga Bathorja në Tiranë dhe godet mjetin e policisë

Një 47 vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës teksa drejtonte mjetin në gjendje të dehur, duke kryer manovrime të rrezikshme.

Policia bën me dije se shtetasi me iniciale A.H., duke drejtuar mjetin e tij ka goditur mjetin e policisë rrugore duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, por është neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë.

Njoftimi:

Drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.31 mg/l, kryente manovra të rrezikshme në rrugë, qytetarët njoftojnë policinë.

47-vjeçari godet makinën e Policisë Rrugore në tentativë për t’u larguar duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, por arrestohet në flagrancë.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H., 47 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Mbrëmjen e djeshme, shtetasi A. H., drejtonte mjetin në gjendje të dehur nga Mjull Bathore për në autostradë në Unazë të Madhe dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugë duke rrezikuar jetën e këmbësorëve dhe të drejtuesve të automjeteve.

Qytetarët kanë njoftuar në numrin 112 dhe menjëherë shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, janë pozicionuar duke i dhënë shenjë për të ndaluar automjetit me të dhënat që ishte raportuar nga qytetarët.

Drejtuesi i mjetit shtetasi A. H., në tentativë për t’ju larguar shërbimeve të policisë ka goditur mjetin e policisë rrugore duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, por është neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.