HomeLajmi i Fundit

I premtoi Australinë për 13 mijë euro, si u kap në Spanjë i kërkuari

Detaje te reja nga arrestimi në kryeqytetin spanjoll te Luan Bundos, 62 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohet se ka ndihmuar 32-vjeçarin Mensur Prençi të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt një shume prej 13 mijë eurosh.

Bundo i kishte premtuar se do ta dërgonte në Australi, por Prençi, që prej vitit 2014, ka humbur kontaktet me familjarët, të cilët kanë denoncuar rastin e zhdukjes së tij në emisionin “Pa gjurmë”. Sipas Policisë së Shtetit, i kërkuari Luan Bundo dhe 32-vjeçari Mensur Prençi kanë shkuar fillimisht në Maqedoni ku janë pajisur me viza për në Indonezi dhe më pas janë transportuar drejt Australisë me anë të një peshkarexheje nga një indonezian.

Nga hetimet ka rezultuar se linja e ndjekur nga Bundo ishte nëpërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, ku klandestinët bashkë me të humburin Mensur Prençi pajiseshin me vizë indoneziane për arsye turistike. Nga Indonezia, linja vijonte në ishullin Kupang të Singaporit, ku nëpërmjet indonezianëve dërgoheshin për në Australi.

Sipas familjarëve të Prençit, kontakti i fundit me 32-vjeçarin ka qenë gjatë kohës që qëndronte në ishullin Kupang, në pritje për t’u nisur drejt Australisë. Pas këtij momenti, i pandehuri Luan Bundo është kthyer në Shqipëri dhe u ka komunikuar familjarëve të Prençit se djali i tyre kishte mbërritur në një kamp refugjatësh në Darwin të Australisë.

VENDIMI I GJYKATES

Emisioni “Pa Gjurmë”, në “Report TV”, bëri publik ditën e enjte vendimin e Gjykatës së Tiranës, mbi dënimin e Luan Bundos me 10 vite burgim. Ndërsa dibrani Mensur Prençi rezulton i humbur prej vitit 2014, Bundo jetonte në arrati, derisa u arrit të lokalizohej mbrëmjen e së premtes në një lokal në Madrid të Spanjës. Gjatë emisionit u rikthye rasti i hetuar nga Prokuroria, që i përket Mensur Prençit, të riut nga Dibra, të cilit iu kërkuan 13 mijë euro për të mbërritur në Australi.

Por, sikur të mos mjaftonte shuma e kërkuar, prej më shumë se 5 vitesh, familjarët e Mensurit nuk dinë asgjë për fatin e tij, ndërsa Luan Bundo, personi që mori përsipër trafikun klandestin, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe tashmë është arrestuar me qëllim ekstradimi. Më datë 19.12.2016, i pandehuri Luan Bundo u shpall fajtor për veprën penale “Ndihmë par kalimin e paligjshëm të kufirit”. Administratori i një agjencie sigurimesh u dënua me 10 vite burgim për këtë vepër penale.

Nga hetimet ka rezultuar se linja e ndjekur nga Bundo ishte nëpërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, ku klandestinët, bashkë me të humburin Mensur Prençi, që kërkohet tashmë nga familjarët, pajiseshin me vizë indoneziane për arsye turistike. Nga Indonezia, linja vijonte në ishullin Kupang të Singaporit, ku nëpërmjet dy indonezianëve dërgoheshin për në Australi.

FAMILJARET

Sipas familjarëve të Mensur Prençit, kontakti i fundit me 32-vjeçarin ka qenë gjatë kohës që qëndronte në ishullin Kupang në pritje për t’u nisur drejt Australisë. Pas këtij momenti, i pandehuri Luan Bundo është kthyer në Shqipëri dhe u ka komunikuar familjarëve të Prençit se djali i tyre kishte mbërritur në një kamp refugjatësh në Darwin të Australisë. Por humbja e kontakteve dhe mosmarrja e asnjë informacioni lidhur me fatin e 32-vjecarit, kur edhe për Luan Bundo, i cili ishte shpallur në kërkim nuk kishte asnjë gjurmë, detyroi familjarët të denonconin rastin në emisionin “Pa gjurmë”, në kërkim të Mensur Prençit, të riut 32- vjeçar, ëndrra e të cilit ishte Australia.

Ai u nis më 23 prill të vitit 2014, kur vendosi të ndërmarrë këtë udhëtim të gjatë pa aprovimin e familjes. Nga ana tjetër, vëllai i Mensurit ka zbuluar detaje të reja, duke thënë se dyshon që vëllai i tij mund të jetë në ndonjë kamp në zonën neutrale mes Australisë dhe Zelandës së Re. “Në momentin që shkoi vëllai, u informuam se në vendin ku po shkonte, po mbylleshin kampet. Më pas na tha Luani se vëllai është marrë nga Policia në Australi”, ka thënë vëllai i të humburit.

POLICIA: I KËRKUARI U KAP NË MADRID

Policia e Shtetit njoftoi dje se shkëmbimi në kohë i informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit vuri në pranga një shtetas të dënuar me 10 vite burg. Policia e Shtetit ka marrë informacion në rrugë operative se një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar mbrëmjen e djeshme (të premten) ndodhej në një ambient, në Madrid të Spanjës. Pas verifikimeve të shpejta rezultoi se të dhënat i përkisnin personit të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Falë shkëmbimit shumë të shpejtë të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës, Interpol Madridit dhe Zyrës Ndërlidhëse të Policisë spanjolle, u bë i mundur arrestimi në Madrid i shtetasit Luan Bundo, 62 vjeç, nga Tirana.

Shtetasi Luan Bundo i ka ofruar dhe dhënë ndihmë për kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme një shtetasi për të shkuar në Australi. Këtë ndihmë ai e ka ofruar dhe dhënë kundrejt shpërblimit të kërkuar prej 13 mijë eurosh. Bundo së bashku me shtetasin M.P, fillimisht kanë shkuar në Maqedoni ku janë pajisur me viza për në Indonezi dhe më pas nga Indonezia për në Australi, janë transportuar nga një shtetas indonezian me peshkarexhë. “Më datë 19.12.2016, Gjykata e ka shpallur fajtor shtetasin Luan Bundo për veprën penale ‘Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit’ dhe e ka dënuar me 10 vite burgim”, tha zyrtarisht Policia.

I riu nga Dibra kërkohet nga Interpoli si i humbur

Më datë 19.06.2015, është paraqitur në gjyq shtetasi Mirush Prençi, i cili ka sqaruar se më datë 23.04.2015, djali i tij, Mensur Prençi, është larguar nga Pika e Kalimit Kufitar Qafë-Thanë për të ikur në emigracion në Australi. Në periudhën 24.04.2014 – 26.04.2014, ai ka komunikuar me familjarët e tij, duke u thënë fillimisht se ndodhej në Bullgari dhe më pas duke u konfirmuar se ndodhej në Indonezi. Dëshmitari Eduard Prençi, vëllai i të humburit, ka dëshmuar se Mensuri kishte folur vetë më parë me të akuzuarin, Luan Bundon, dhe u kishte thënë se do të ikte me këtë person në Australi, duke u kërkuar të gjenin paratë për këtë punë dhe duke u thënë se shuma që duhej t’i paguante të pandehurit ishte 13 mijë euro.

Atë ditë, ata janë takuar me Luan Bundon, i cili u ka thënë se kjo gjë është shumë e sigurt dhe se gjithçka do të shkonte në rregull. Eduard Prençi ka deklaruar se Luani ka ndenjur një muaj në Indonezi dhe është i interesuar për vendndodhjen e Mensurit dhe deklaroi se dy indonezianët që njihte Luani, që nisën Mensurin për në Australi, kishin një shef që quhej Anwar Dahlia, i cili merrte edhe paratë për çdo person që niste për në Australi. Por 2 maji i vitit 2014 është kontakti i fundit i Mensur Prençit me të vëllain, Eduardin.

Mensuri i tha se disa indonezianë do ta ndihmonin atë, që me anën e një peshkarexhe, të arrinte në destinacionin e tij e fundit, në Australi. Familjarët po prisnin një komunikim nga ana e tij, gjë e cila nuk ndodhi kurrë. Në këtë veprimtari të kundërligjshme, i pandehuri ka bashkëpunuar me disa shtetas indonezianë. Familjarët kanë kërkuar ndihmë nga Interpoli, gjithashtu edhe nga Indonezia duke iu dërguar një letër, përgjigjja e së cilës nuk u kthye kurrë./PANORAMA