HomeShëndeti

I shpëtoi koronavirusit. Ja çfarë mësoi kur ishte e sëmurë

Një grua nga Seattle e cila thotë se ishte me koronavirus dhe tani është në fazën e rikuperimit ka diçka për të ndarë me ju: Mos t’ju kapë paniku.

Elizabeth Schneider, 37 vjeçe beson se ajo e mori virusin kur ishte në një festë sepse disa ditë më vonë disa shokë që ishin në festë me të u sëmurën të njëjtën ditë që u sëmur edhe ajo.
Tre ditë pasi ishte bërë festa më 22 shkurt, Schneider thotë se ajo ishte në punë kur filloi të ndihej keq.

Ajo kishte “lodhje, dhimbje trupi, dhimbje koke, pak ethe”, kështuqë vendosi të shkonte në shtëpi.
Ajo u zgjua nga gjumi me ethe dhe me temperaturë 38 gradë dhe më pas u rrit deri në 39 gradë.

Schneider tha se ajo mendonte se kishte thjesht një grip të shpifur. Asaj nuk i shkoi në mendje se mund të ishte infektuar me koronavirus sepse simptomat nuk dukeshin, ajo nuk kishte as kollë, as vështirësi në frymëmarrje.

Momenti kur ajo e kuptoi se ishte e infektuar erdhi kur ajo mësoi se shumë shokë të saj që kishin qenë pjesë e festës ishin sëmurë në të njëjtën ditë dhe pak a shumë në të njëjtin orar, me simptoma të ngjashme.

Zona e Seattle është epiqendra e koronavirusit në SHBA. Nga 1635 raste të raportuara në vend 457 prej tyre janë në Washington, duke përfshirë 41 të vdekur.

Megjithatë, Schneider dhe shokët e saj nuk u testuan për koronavirus, tha ajo. Doktorët menduan se ishte thjesht grip por testimet për gripin ishin negative.

“Në këtë pikë ne të gjithë po ndiheshim të irrituar që nuk po na lejonin të testoheshim për koronavirus, madje doktorët as nuk po e sugjeronin diçka të tillë”, tha Schneider.

Kështuqë njëri nga shokët e saj i tha për një studim gripi që po bëhej në Seattle. Pjesëmarrësit regjistroheshin online dhe dërgonin kampionet me pështymën e tyre. Kohët e fundit studimi filloi të bënte testime për koronavirus gjithashtu dhe në këtë mënyrë u zbulua se ajo ishte e infektuar.

Schneider tha se ajo u rikuperua pasi qëndroi në shtëpi, duke pushuar dhe duke marrë ilaçet që i ishin dhënë.

“Mendoj se mesazhi që dua t’i jap të gjithëve është: mos krijoni panik”, tha Schneider. “Nëse ti je i ri, nëse je i shëndetshëm, nëse ti kujdesesh për veten kur je i sëmurë besoj se do rikuperohesh dhe unë jam rasti konkret.”

Megjithatë, Schneider kishte moshën dhe shëndetin e mirë në anën e saj. Për njerëzit e moshuar ose për njerëzit me probleme të tjera shëndetësore siç janë problemet e zemrës ose diabeti, COVID-19 mund të jetë vdekjeprurës thonë zyrtarët e shëndetësisë.

“Realiteti i zymtë është se për më të vjetrit, COVID-19 është pothuajse makina perfekte për vrasje”, tha presidenti i Shoqatës Amerikane të Shëndetit Mark Parkinson për CNN.

Disa shtete po ndalojnë vizitën në azilet e të moshuarve si një përpjekje për të parandaluar përhapjen e sëmundjes tek ky grup i popullsisë. Azilet në shtetin e Washington për shembull kanë limituar numrin e vizitorëve pasi koronavirus u përhap në 11 godina të tjera.

TATANI


TË NGJASHME