HomeLajmi i Fundit

I vdiqën dy vëllezërit dhe nipi, motra rrëfen mes lotësh krimin në Klos

Detaje të rënda dalin në dritë nga krimi i trefishtë që tronditi dje Klosin dhe mbarë opinionin publik, ku Sali Dakuci ka vrarë me armë zjarri vëllanë e tij, Kujtim Dakuci dhe nipin e më pas veten. Krimi makabër në fshatin Xibër kishte si zanafillë të sherrit një gardh që ndante dy banesat e vëllezërve Dakuci.

Kjo e fundit kishte udhëtuar nga Manza e Durrësit, ku ishte martuar, drejt Klosit, për të vizituar babain e sëmurë, 85 vjeç. Mes lotësh Lifja, në kushte të tronditjes së thellë psikologjike, tregoi për Doçin se e gjithë maskara kishte ndodhur për afro 20 minuta, ku 3 njerëz nga familja e saj mbetën të vrarë për ca drurë gardhi. Ajo pohoi se kishte dëgjuar dy vëllezërit e saj teksa debatonin me njëri-tjetrin dhe pasi kishte ndërhyrë u kishte thënë; “Mos u zini për gardhin, ejani se keni babain sëmurë”. Lifja mes të tjerash ka treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes së rëndë, ku si fillim i vrarë mbeti Kujtimi, pastaj nipi i saj, Flogerti dhe më pas Saliu vrau veten (autori i krimit).

“Erdha për vizitë në Xibër se kemi babain sëmurë. I dëgjova të dy vëllezërit duke u zënë dhe dola jashtë e u thash; Mos u zini për gardhin, por eja shihni babain se është sëmurë. Duke u ngjitur nëpër shkallë (banesa e vjetër dy-katëshe), pasi ecja me ngadalë se kam sëmurë këmbën, dëgjova një krismë arme. Pash nga sipër Kujtimin të shtrirë përtokë. Më pas djali i Kujtimit, nipi im, iu sul Saliut duke thënë; “ça bërë?”. Dhe më pas dëgjova krismën tjetër…e pash nipin që u shtri përtokë. Më pas Saliu u largua nga banesa dhe u fut në një parcelë më misër dhe më pas kur pas 20 minutash dëgjova një tjetër krismë brenda tek banesa e tij (një kuzhinë e vjetër). Kur shkuam aty bashkë me gruan e Saliut, e pamë atë përtokë të mbuluar në gjak dhe pa shenja jete. Kishte qëlluar veten me plumb në kokë”, rrëfen mes lotësh motra e dy viktimave./BW