HomePolitikë

Ikën Haradinaj, reagimet e para nga Shqipëria

Lidhur me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, ka patur reagime të menjëhershme edhe nga radhët e politikanëve shqiptarë.

Një ndër to është edhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili ka reaguar përmes një postimi në twitter pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës.

“Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj është akti i një njeriu që ve Atdheun mbi gjithçka. Ramushi i ka shërbyer gjithmonë me vetëmohim Kosovës, në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Ramush Haradinaj është Kosova – Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova europiane. Askush dhe asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën sublime të familjes Haradinaj në altarin e lirisë!” shkruan Basha në twitter.

Një tjetër reagim vjen nga Ministri për Diasporën, Pandeli Majko.

“Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit si një burrë shteti. Ai kreu një akt që i bën nder Kosovës shtet që drejtohet nga shtetarë të cilët bëjnë dallimin e fatit personal me atë të sigurisë kombëtare. “ shkruan Majko përmes një postimi në facebook, ndërsa shton se veprat e një njeriu vlejnë më shumë se dobësitë e tij.

“Sot jam me Ramushin! Të falenderoj komandant për shembullin e luftës, dhe sot në atë të paqes.”-përfundon Majko postimin e tij.

Kreu i partisë Zgjidhja ka reaguar përmes një postimi në facebook lidhur me dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Ramush Haradinaj dha sot dorëheqjen si kryeministër për t’u mbrojtur si qytetar përpara Gjykatës Speciale të Hagës, pas akuzave për krime lufte. ‘Kam njoftuar institucionet se kam dhënë dorëheqje të parevokueshme. Arsyeja është se kam marrë një ftesë nga Gjykata Speciale për javën e ardhshme si i dyshuar. Dhe kam vlerësuar se nuk mundem të paraqitem si kryetar i qeverisë, por si qytetar i Kosovës’,- deklaroi Haradinaj.” Shkruan Kokëdhima, ndërsa vlerëson veprimin e z.Haradinaj si të drejtë dhe sfidues ndaj akuzave të padrejta që i janë bërë. Kjo nuk është e para herë që ai duhet të përballet me akuza të tilla, që nuk mungojnë për shumicën e figurave politike të Kosovës, por, fatkeqësisht, jo ndaj atyre të Serbisë.

“Ramush Haradinaj dhe familja e tij, si shumë të tjera në Kosovë, kanë dhënë gjithçka kishin për shtetin e lirë dhe të pavarur. Akuzat ndaj tyre janë përpëlitjet e fundit të politikës shoviniste serbe që ende flet për Kosovën e pavarur prej 11 vitesh si ‘djepi i Serbisë’ dhe bën plane me antishqiptarët për këmbime territoresh.

Z.Haradinaj ka treguar shqiptari dhe burrështetësi, në postin e kryeministrit të Kosovës, me vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, dy vendeve që sabotojnë ku të munden Kosovën e pavarur si dhe me kundërshtimin e vendosur ndaj marrëveshjes për ndryshimin e kufijve dhe të këmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

‘Zgjidhja’ beson se z.Haradinaj do të dijë të mbrojë veten dhe të gjithë luftëtarët e Kosovës së lirë përballë akuzave të pabaza dhe do të rikthehet sa më parë në drejtimin e qeverisë së Kosovës.” – përfundon Kokëdhima.

Kreu i PAA, Agron Duka ka zgjedhur të reagojë vetëm me një fjalë, lidhur me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Ndërsa ndan një foto të takimit me të, Duka shkruan në profilin e tij në facebook: Shembullor!.

Ramush Haradinaj njoftoi sot dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryeministrit, duke cuar vendin në zgjedhje të parakoshme.


TË NGJASHME