HomeLajme

Importi i makinave, rekord historik. Tregtarët mbushën parkingjet gjatë Nëntorit

Hyrja në fuqi e ndalimit të importit të automjeteve më të vjetra se 10 vite datë prodhimi ka nxitur tregtarët e makinave të përdorura në vend që të importojnë masivisht përpara datës 2 Dhjetor, kur edhe hyri në fuqi ky vendim.

Kjo lëvizje e tregtarëve tashmë reflektohet mjaft mirë edhe te shifrat zyrtare. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, të publikuara nga Instituti i Statistikave, zëri i importit të mjeteve të transportit gjatë Nëntorit, muaji i fundit kur mund të importonin makina më të vjetra se 2009-a, ka prekur vlerën më të lartë në histori.

Muajin e kaluar u importuan rreth 5 miliardë lekë mjete transporti, nga 4.6 miliardë lekë të muajit Tetor, pra në rritje me 8.7%, dhe nga 3.6 miliardë e Nëntorit të vitit të kaluar, në rritje me 38.8%.

Një shifër e tillë nuk është regjistruar asnjëherë, ose të paktën që prej vitit 2005 kur edhe filloi matja dhe raportimi i këtyre të dhënave.

Ndër vendet që kanë një treg të madh importi në automjetesh në Shqipëri, rritja më e madhe regjistrohet për Gjermaninë, nga 1.6 miliardë lekë në Nëntorin e 2017-ës, në 2.1 miliardë lekë në Nëntorin e 2018-ës, pra në rritje me 31%, si dhe me Italinë, nga 664 milionë në 1.1 miliardë, në rritje me 66%, raporton scan.tv.

Edhe Shtetet e tjera si, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjika apo Austria regjistrojnë një rritje të konsiderueshme. Pra, të dhënat tregojnë qartë se tregtarët kanë shfrytëzuar ditët e fundit përpara hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë për të krijuar stok të makinave të vjetra.

Nga data 2 Dhjetor e këtij viti është i pamundur importi i makinave më të vjetra se viti 2009. Ky vendim do të shkaktojë një rikonfigurim të tregut të makinave të përdorura.


TË NGJASHME