HomeRajon

Incident në Beograd/ Daçiç sulmon verbalisht komisionarin e BE-së për Zgjerim

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, ka shkaktuar një incident në Beograd, të enjten. Shefi i diplomacisë serbe e ka sulmuar komisionarin e Bashkimit Europian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Të paktën kështu raporton gazeta serbe “Blic”, e cila, sikurse shumë të tjera, kontrollohet nga pushteti, përkatësisht presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Sipas “Blic”, Daçiç e ka detyruar komisionarin evropian që ta lëshojë takimin që po e zhvillonte me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, dhe me ministrat e kabinetit të saj.

Gazeta beogradase shkruan se Daçiç e ka sulmuar në mënyrë verbale mysafirin nga Brukseli, duke e shtyrë atë të largohej nga salla. Një orë para se Daçiç të inkuadrohej në takimin me Varhelyin, biseda e qeveritarëve të tjerë serbë me të po zhvillohej normalisht, shkruan “Blic”.

E përditshmja e Beogradit pohon se në një moment Daçiç ka marrë fjalën dhe ka nisur ta sulmojë me fjalë komisionarin hungarez. Varhelyi raportohet të jetë ndier në siklet, teksa Daçiç e ka porositur të mos e hapë gojën për manastiret serbe në Kosovë dhe për tarifën e vënë nga Kosova ndaj mallrave nga Serbia. Gazeta beogradase është thirrur në burimet e veta, brenda takimit.


TË NGJASHME