HomeLajmi i Fundit

Indi, rritet bilanci i viktimave të ciklonit “Fani”

Bilanci i viktimave të ciklonit tropical “Fani” në Indi dhe Bangladesh ka arritur 30 gjatë fundjavës.

Fuqia e tij është zvogëluar, por mbetet i lartë rreziku i përmbytjeve dhe i rrëshqitjeve të tokës në pjesën lindore të vendit.

Syri i ciklonit ekstrem përshkoi të premten shtetin indian të Odishës me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë.

Ai rrënoi shtëpitë dhe infrastrukturën lokale, për të lëizur një ditë më pas drejt Bangladeshit me forcën më të madhe të çdo cikloni tjetër të regjistruar këto 20 vitet e fundit.

Disa nga banorët dhe pronarët e bizneseve thonë se kanë humbur gjithçka si pasojë e reshjeve dhe erërave të fuqishme të cilat nuk pushuan për orë të tëra.

Ndërkaq, mbi 1 milion persona të tjerë arritën të shpëtohen përpara zbarkimit të ciklonit.

Operacioni i evakuimit u konsiderua nga autoritetet vendore si një nga më masivët në historinë e njerëzimit, dhe u përshëndet si arritje nga Kombet e Bashkuara.

Ndërkaq është vlerësuar edhe puna e meteorologëve të cilët ranë në gjurmët e stuhisë ciklonare më shumë se një javë më parë dhe zbuluan me saktësi rrezen e saj të veprimit, duke shmangur një katastrofë të ngjashme me atë të 20 viteve më parë, e cila u mori jetën 10 mijë vetave.