HomeSociale

Infrastruktura e dobët/ Ekspertët-qytetarëve: Zbatoni rregullat, dojeni më shumë jetën tuaj!

I ftuar në emisionin Alert , specialisti i Sigurisë Rrugore, Fisnik Ziçishti tha se mungesa e një autoriteti përgjegjës, ndikon në shtimin e numrit të aksidenteve rrugore. Ai i bëri thirrje urgjentisht Ndërkomisionit Ndërministror të Sigurisë Rrugore që të mblidhet urgjentisht dhe të krijojë institucionin përgjegjës.

“Fatkeqësisht në Republikën e Shqipërisë nuk ka një institucion që të bëjë analizën e shkaqeve të aksidenteve rrugore. Duhet të mblidhet urgjentisht Ndërkomisioni Ndërministror i sigurisë rrugore që të vendosë pikat mbi ‘i’ dhe të bëjë një institucion që të jetë Autoriteti i Kontrollit të Sigurisë rrugore që të kontrollojë rrugën, automjetin dhe drejtuesi i saj bashkë me këmbësorin. Ky autoritet do i jepte një suport shumë të madh uljes së numrit të aksidenteve rrugore. Prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët dhe mos t’i japin çelësat e automjetit në momentin që ai s’ka leje drejtimi”, bëri me dije Ziçishti.

Sakaq, shefi i Sektorit të Analizës dhe Projekteve të Policisë Rrugore, Mitat Tola thotë se drejtimi i mjetit pa patentë dhe drejtimi i mjetit në gjendje të dehur janë dy nga konstatimet kryesore të policisë rrugore. Ziçishti thotë se jashtë Shqipërisë nuk ka shtëpi në fshat të ndërtuara në rrugë nacionale apo rrethrrotullime në rrugë interurbane, në një kohë që në vendin tonë kjo më se është normale.

Ekspertët i bënë thirrje qytetarëve që të zbatojnë rregullat dhe të duan më shumë jetën e tyre.

Po sa respektohen rregullat e qarkullimit rrugor nga këmbësorët shqiptarë? Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, që prej vitit 2014-të deri në fund të shtatorit të 2019-ës, janë shënuar 1365 viktima nga aksidentet rrugore.

Sipas INSTAT, në rreth 86.1% të rasteve, aksidentet rrugore kanë ndodhur për shkak të pakujdesisë së drejtuesve të automjeteve. Në një vëzhgim të Emisionit “Alert” dhe Qendrës “Alert”, arrihet në konkluzionin se çdo drejtues mjeti është i rrezikuar të përfshihet në aksident me këmbësorë apo biçikleta.

Për të diskutuar mbi temën “Këmbësorët e vdekjes!”, të ftuar në emisionin “Alert” ishin shefi i Sektorit të Analizës dhe Projekteve të Policisë Rrugore, Mitat Tola si dhe Specialisti i Sigurisë Rrugore, Fisnik Ziçishti. Tola tha se aksidentet rrugore kanë kaluar në vendin e pestë në renditjen e shkaktarëve të vdekjeve, nga vendi I dhjetë që kanë qenë më parë.

“Bashkimi Europian por dhe pjesa tjetër e botës po përballen me fenomenin e aksidenteve rrugore i cili nga vendi i dhjetë që ka qenë si shkak kryesor i vdekjes së njerëzve, ka kaluar në vendin e pestë, dhe po synon të kapë vendin e tretë. 100 për qind aksidenti rrugor nuk mund të shmanget por ndërkohë mund të ulet me masa të shumëanshme nga aktorët kryesorë të sigurisë rrugore. Nëse do shikojmë statistikat, shikojmë se këmbësorët zënë rreth 36-38 % të të vrarëve në aksidentet rrugore në Shqipëri, në një kohë që mesatarja e Bashkimit Europian është  22-26%. Kjo tregon që nuk kemi një edukatë të ecuri në rrugë! Mënyra e marrjes së leje-drejtimit, rritja e shpejtësisë mesatare që në 2019-ën ka arritur në 80km/ë, dhe mungesa e harmonizimit të sistemit të sinjalizimit dhe sigurisë, çojnë në aksidente rrugore”, tha Tola.

Ndërkohë specialisti i Sigurisë Rrugore, Fisnik Ziçishti e cilëson si alarmante situatën e sigurisë rrugore dhe shton se infrastruktura e dobët rrugore është një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve.

“Në vendin tonë gjendja është shumë alarmante! Viktimat e rrugës këto 3 javët e fundit janë shtuar shumë, është për t’u dhënë alarmi SOS.  Po pse bëhen aksidentet? Infrastruktura është shumë e dobët, nuk ka vendkalime këmbësorësh”, theksoi Ziçishti në Alert.


TË NGJASHME