HomeSport

Interi në avantazh për të marrë lojtarin e momentit në Itali

Sezonin e kaluar debutoi në Serinë A me Cagliarin, ndërsa këtë vit, Nicolo Barella po shkëlqen me skuadrën sarde dhe ka arritur të fitojë edhe një vend në kombëtaren italiane.

Ndonëse është vetëm 21 vjeç, mesfushori ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve italiane e europiane, ndërsa Interi është skuadra më me avantazh për ta marrë atë.

Zikaltrit e tentuan Barellën edhe në verë, por në fund vendosën të presin e të monitorojnë akoma procesin e rritjes sportive të tij, ndërsa tashmë janë angazhuar maksimalisht.

Kështu Piero Ausilio po shfrytëzon maksimalisht miqësinë që ka me Alessandro Beltramin, menaxherin e futbollistit, por njëkohësisht edhe të belgut Radja Nainggolan.

Interi ka në plan të ofrojë rreth 45 milionë euro për kartonin e djaloshit sard, ndërsa në marrëveshje mund të përfshihet edhe ndonjë futbollist i ri, për të bindur drejtuesit e Cagliarit.

Synimi i zikaltërve është që të mbyllin sa më shpejt marrëveshjen, për të shmangur rritjen eventuale të çmimit me kalimin e muajve, dhe më pas të lënë lojtarin deri në qershor te Cagliari.


TË NGJASHME