HomeSociale

Investimi në ujësjellës/ Zgjidhje për Yzberishtin, Astirin, Kombinatin…

Banorët e zonave të Yzberishtit, Astirit, Kombinatit, Kodër Kamzës, Yrshekut e Kasharit do të marrin zgjidhje për furnizimin me ujë të pijshëm cilësor dhe në sasinë e duhur.

Kjo falë Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës të cilët po vijojnë punën intensive për ndërtimin e linjës së transmetimit të ujit nga Impianti i Bovillës në Depon e Yzberishtit.

Aktualisht puna po vijon përgjatë rrugës “Loni Ligori” në mënyrë që linja e re të ndërtohet brenda të gjitha parametrave botërore duke garantuar siguri dhe cilësi maksimale për furnizimin me ujë. UKT-ja sqaron se ky është vetëm një segment i linjës që nis nga Impianti dhe përfundon në Depon e Yzberishtit.

Linja e transmetimit është e ndarë në tre lote për të cilat ka nisur njëkohësisht zbatimi në terren në mënyrë që brenda vitit linja të jetë në funksion të plotë.

Tubacionet e dimensioneve të mëdha do të bëjnë të mundur furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor të zonave si Yzberisht, Astir, Kombinat, Kodër Kamëz, Yrshek, Kashar etj, të cilat deri tani janë furnizuar përmes stacioneve të pompimit.

Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës sqarojnë gjithashtu se paralelisht do të punohet edhe në rrjetin shpërndarës të këtyre zonave në zhvillim për shkak se rrjeti ekzistues nuk i përballon kërkesat në rritje për ujë të pijshëm. Për më tepër UKT-ja po kujdeset që të çojë ujin edhe në ato segmente të cilat nuk kanë fare akses ndaj rrjetit të ujësjellësit.

Për shumë vite pa asnjë investim, linja e transmetimit do t’i japë fund problematikave më të cilat janë hasur deri më tani qytetarët e këtyre zonave, sidomos gjatë stinës së thatësirës.


TË NGJASHME