HomeLajme

Irak/ Mbi 500 luftëtarë të huaj të IS-it të dënuar

Gjyqësori në Irak ka gjykuar dhe dënuar mbi 500 të huaj që nga fillimi i vitit 2018, për shkak të luftës së tyre në krah të grupit militant Shteti Islamik (IS), bëri të ditur Gjykata Supreme e Irakut. Ajo tha se janë lëshuar 514 vendime, për burra dhe gra, ndërsa 202 të akuzuar të tjerë vazhdojnë të merren në pyetje.

Po sipas gjykatës, 11 të tjerë janë liruar. Gjykata Supreme iu referua atyre si qytetarë të “kombësive të ndryshme” dhe nuk përmendi asnjë vend të veçantë. Iraku ka shpallur fitore ndaj Shtetit Islamik në fund të vitit 2017 dhe, vitin pasues, ka nisur gjykimin e shtetasve të huaj që i janë bashkuar grupit militant. Sipas disa njoftimeve, shumë luftëtarë janë dënuar me burgim të përjetshëm, përfshirë tre shtetas francezë.

Gjykata e Irakut ka lëshuar edhe dënime me vdekje për disa pjesëtarë të huaj të grupit, por ata nuk janë ekzekutuar ende. Rreth 1,000 luftëtarë të huaj të Shtetit Islamik janë në paraburgim edhe në verilindje të Sirisë. Grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë Human Rights Watch, i kanë kritikuar gjykimet, të cilat, sipas tyre, shpesh mbështeten në prova rrethanore ose në rrëfime të marra me tortura.


TË NGJASHME