HomeSociale

Ishin ndër më të kërkuarit në vendin e tyre, Gjykata e Tiranës liron indianin

Gjykata e Tiranës ndryshoi masën e sigurisë për indianin Hitesh Patel, i arrestuar rreth një muaj më parë, duke e lënë atë në “Arrest shtëpie”.

Ndryshimi erdhi pas përfundimit të afatit 40-ditor të arrestit në burg të dhënë më herët nga Gjykata. Patel tashmë ndodhet në ruajtjen e Policisë në banesën e tij në Tiranë, ndërsa Prokuroria është duke pritur dosjen nga autoritetet indiane.

Ndërkohë, mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi me Indinë mund të sjellë lirimin e tij. Kujtojmë se Patel është kunati i Nitin dhe Chetan Sandesarës, të cilët edhe pse ishin në kërkim dhe me precedentë penalë në vendin e tyre, në Shqipëri ishin investues dhe konsuj nderi.

Kështu, ndërsa dy vëllezërit Sandesara dhe Hitesh Patel ishin ndër më të kërkuarit në Indi për shkak të mashtrimit, në Shqipëri ata jetonin të qetë dhe kishin investuar në disa zona, duke pastruar kështu paratë. Gjithashtu, një prej tyre, Nitin Sandesara, rezulton të jetë dhe konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri, me zyrën e konsullatës së nderit në Abuja.

Ndërkohë, ata kanë marrë nënshtetësinë shqiptare në shkurt të 2018-ës dhe pas kësaj, çdo gjë ka vazhduar në normalitet. Bazuar në procedurën e marrjes së nënshtetësisë, institucioni i Presidentit, me anë të një njoftimi, bëri të ditur të premten se ka qenë ministri i Turizmit, i cili ka propozuar dy shtetasit për marrjen e nënshtetësisë shqiptare, duke u bazuar në arsyen se do të kryenin investime të rëndësishme në Shqipëri. Marrja e nënshtetësisë, pa u kryer më parë verifikime, u shoqërua me debate publike gjatë muajit mars. Ndërkohë, institucionet ia pasuan përgjegjësinë njëra-tjetrës.

Referuar medias indiane “The Times of India”, Patesh së bashku me dy vëllezërit Nitin Jayantilal Sandesara dhe Chetankumar Jayantilal Sandesara kanë marrë rreth 725 milionë deri në 1 miliard dollarë amerikanë kredi nga bankat shtetërore të Indisë, duke i zhdukur më pas përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore, të krijuar prej vetë atyre. Për këtë skandal, Gjykata në Indi ka dhënë katër urdhërarreste dhe është në kërkim të tyre.

Më herët, gjatë këtij viti, kishte dyshime se vëllezërit Sandesara ishin ndaluar në Nigeri e Itali dhe se ishte dhënë drita jeshile për ekstradimin e tyre, por deri në arrestimin e Patel në Shqipëri, ende nuk është bërë e mundur një gjë e tillë. Vëllezërit Sande sara së bashku me Patel, (ky i fundit, konsiderohet nga mediat indiane si koka dhe krijuesi i skemës mashtruese), kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike “Sterling Biotech”.

Sipas informacioneve, përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore dhe i kanë zhdukur.


TË NGJASHME