HomeLajme

Itali, bie 50% numri i migrantëve për vitin 2019

Numri i migrantëve që kanë zbarkuar në brigjet italiane në vitin 2019 është përgjysmuar në raport me një vit më parë, sipas Ministrisë së Brendshme.

“Numri i të mbërriturve gjatë këtij viti ka qenë 11 439 persona, rreth 50,72% më pak se në 2018, kur kjo shifër ishte 23 210”, sipas të dhënave të ministrisë, publikuar sot. Ulja ka qenë akoma më e madhe (-90,38%) nëse i krahasojmë këto shifra me ato të vitit 2017, kur 118 914 migrantë kanë zbarkuar në brigjet italiane.

Migrantët e mbërritur në vitin 2019 janë tunizianë (2 654), pakistanezë (1 180) dhe nga Bregu i Fildishtë (1 135). Mes tyre 1 618 ishin minorenë të pashoqëruar, rreth një mijë më pak se në 2018 dhe rreth 14 000 më pak se në 2017. Italia është drejtuar që prej qershorit 2018 dhe deri në gusht 2019 nga një koalicion i formuar nga Lëvizja Pesë Yjet (M5S, antisistem) dhe Lega (ekstremi i djathtë) e sovranistit, Matteo Salvini, i cili ka qenë ministër i Brendshëm.

Kjo e fundit kishte vendosur një politikë të fortë për çështjet e migracionit duke arritur miratimin e një dekreti që parashikonte gjobë të rëndë për anijet e shpëtimit të OJQ-ve në Mesdhe dhe deri në dhjetë vjet burg për drejtuesit e tyre në rast të rezistencës.

Qeveria e re e formuar këtë verë nga qendra e majtë dhe Lëvija Pesë Yjet nënshkroi në Maltë në muajin shtator një marrëveshje me disa vende të BE-së, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, që parashikonte shpërndarjen automatike të migrantëve të zbarkuar në Maltë ose Itali.//ATSH


TË NGJASHME