HomeSociale

Iu sekuestruan 1.5 mln euro pasuri, çfarë tha në gjyq ish-drejtori i ALUIZNI-t

Ish drejtori i ALUIZNI-t në Tiranë, Ferdinand Shehu ka apeluar vendimin e sekuestrimit të 1.5 milionë eurove.

Seanca e parë u zhvillua gjatë ditës së sotme, por për shkak të mungesës së prokurorit u shty për në shtator.

Shehu ishte vetë i pranishëm në gjykatë dhe gjatë seancës ka pretenduar se paratë e sekuestruara janë të ligjshme.

Sekuestro është vendosur rreth 10 ditë më parë me vendim të Prokurorisë së Tiranës.

Sekuestrim i parave u be gjate operacionit policor te koduar “Investimi”.

Sipas burimeve, 1,5 milionë euro llogari bankare, të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme i janë sekuestruar nga policia Shehut, i cili ka qenë kreu i ALUIZNI-t për rajonin e Tiranës.

Ferdinant Shehu, u shkarkua nga kjo detyrë në vitin 2011, detyrë të cilën ia kishin ngarkuar në vitin 2010.

Ndërsa në periudhën 2006-2010 ai mbajti postin si zëvendësdrejtor i Përgjithshëm pranë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale.

Ferdinand Shehu është ‘divorcuar’ përfundimisht në vitin 2011 nga Partia Demokratike. Ai u shkarkua edhe nga ALUZINI me motivacionin se kishte fshehur të shkuarën e tij si “hetues” në kohën e diktaturës.

Në postin e fundit publik që ka mbajtur, Ferdinand Shehu ka qenë pjesë e këshillit Bashkiak të Tiranës. Ai është zgjedhur si anëtar i Këshillit Bashkiak në zgjedhjet e vitit 2015 dhe ka fituar mandatin nga Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit.


TË NGJASHME