HomeRajon

Ja sa paguhej ministri serb që u shkarkua sot

Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviç, tash e dy vjet ka mbajtur këtë post në qeveritë e Kosovës. Todosijeviç, i cili gjatë shënimit të 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s i ka quajtur shqiptarët terroristë që trilluan masakrën e Reçakut, për dy vjet ka marrë pagë mujore nga paratë e “terroristëve”, shkruan Insajderi.

Gjatë qeverisë “Mustafa”, në prill të 2017-ës, ish-kryeministri Isa Mustafa e kishte emëruar Todosijeviçin ministër të MAPL-së, pas dorëheqjes enigmatike të Mirjana Jevtiç, pak ditë pas emërimit.

Todosijeviç qëndroi vetëm 20 ditë si ministër në qeverinë e Mustafës, pasi që më 10 maj 2017 deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për ta rrëzuar qeverinë.

Megjithatë, Todosijeviç u rikthye si ministër i MAPL-së 5 muaj më vonë.

Më 9 shtator, ai u bë përsëri ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë e re të Kosovës.

Në deklarimin e pasurisë së tij që e kishte bërë muajin e kaluar, Ivan Todosijeviç deklaron se pagë mujore merr vetëm nga shteti i Kosovës. Paga mujore e tij e deklaruar është  1 mijë e 108 euro (1.108.47).

Ivan Todosijeviç ka përfituar nga posti i ministrit rreth 32 mijë e 700 euro. Rreth 12 mijë e 700 euro i ka përfituar në 10 muajt e parë të detyrës së tij. Ndërkaq pas vendimit për rritjen e pagave të ministrave në 2 mijë euro, ai përfitoi edhe rreth 20 mijë euro të tjera.


TË NGJASHME