HomePolitikë

Ja sa zgjat procedura për shkarkimin e Ilir Metës

Pas vendimit të presidentit për anulimin e datës së 30 qershor për zgjedhjet lokale, Partia Socialiste është shprehur se ka nisur procedurat e shkarkimit të Ilir Metës.

Por, çfarë parashikon rregullorja e Kuvendit?

Në nenin 112 të saj, detajon një procedurë të gjatë, që duhet ndjekur hap pas hapi. Gjithçka nis me paraqitjen e kërkesës me shkrim të 1/4 së deputetëve, drejtuar kryetarit të Kuvendit, bashkë me motivimin e shkeljeve të pretenduara të Presidentit.

Pas i merret propozimi, kreu i Kuvendit duhet të vërë në dijeni parlamentin dhe Presidentin. Pas procedurës së ndjekur nga kryeparlamentari, kërkesa i paraqitet Komisionit të Ligjeve që brenda 15 ditëve duhet t’i paraqesë Kuvendit raportin bashkë me mendimin nëse duhet ngritur një komision hetimor apo jo.

Ndërsa, Kuvendi brenda 7 ditësh duhet të zhvillojë seancë me debat mbi këtë raport. Më pas, nëse propozimi pranohet në Kuvend, duhet që brenda dy ditëve të ngrihet një komision hetimor i cili do të mbledhë të dhëna për akuzat ndaj presidentit. Komisioni ka në dispozicion tre javë kohë për të kryer procedurat e nevojshme.

Në përfundim të hetimit, për të cilin Rregullorja nuk parashikon një afat maksimal kohëzgjatjeje, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Pasi janë kryer procedurat, komisioni hetimor harton një raport dhe i dorëzohet Kuvendit, i cili brenda 20 ditëve duhet të bëjë shqyrtimin e tij.

Gjithashtu, presidenti ka të drejtë që të mbajë fjalën e tij në lidhje me çështjen dhe të dëgjohet nga të gjitha palët.

Pas këtyre proceduarave, Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, pra 94 vota dhe me votim të fshehtë.

Ndërkohë, pasi është kaluar procedura e votimit dhe janë marrë votat e nevojshme , vendimi Kuvendit i dërgohet, Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos përfundimisht për shkarkimin ose jo të Presidentit.


TË NGJASHME