HomeLajmi i Fundit

Jepet sot masa e sigurisë për shefin e sigurisë së Burgut të Durrësit

Gjykata e Kavajës do të caktojë sot masën e sigurisë për shefin e sigurisë së Burgut të Durrësit, Bledar Toçi, i akuzuar për vrasjen me dashje të Dritan Haxhollit dhe vëllain e tij, Bernard Toçi, i akuzuar për shpërndarje droge.

Në kërkesën e Prokurorisë për vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit, shpjegohet se Marsida Qatja i kërkoi ndihmë mikut të saj, Bledar Toçi, që të ndërhynte për t’i zgjidhur një problem që kishte me ish-të dashurin e saj, Dritan Haxholli.

Toçi i ka premtuar asaj se do ta ndihmonte dhe e kanë lënë të takohen në shtëpinë e 30- vjeçares. Oficeri i burgjeve ka mbërritur në shtëpinë e Marsida Qatjas rreth orës 20:30 të mbrëmjes, bashkë me dy miqtë e tij, Xhulio Biturku dhe Ermir Çela. Këta të fundit kanë qëndruar në shtëpinë e Qatjas, ndërsa Toçi ka dalë dhe është kthyer pas 30 minutash me disa doza kokaine, të cilat nga hetimet paraprake rezulton t’i ketë marrë nga i vëllai, Bernardi. “Në mbrëmje, Marsida Qatja, Bledar Toçi dhe dy të tjerët kanë konsumuar alkool dhe kokainë“, thuhet në dokumentin e organit të Akuzës.