HomeLajme

Jo vetëm lufta por edhe vapa, rritet çmimi i grurit në tregun global

Pasi India ndaloi eksportin e drithërave bazë, çmimi i grurit është rritur në tregjet ndërkombëtare. Indeksi standard i grurit u rrit me 5.9% në Çikago, më i larti në dy muaj.

Sipas BBC, vendimi për ndalimin e eksportit erdhi për shkak të valës së të nxehtit që goditi të korrat e grurit të Indisë, duke i çuar çmimet vendase në një nivel rekord.

Kostoja e çdo gjëje, nga buka, ëmbëlsirat, te makaronat është rritur muajt e fundit pasi çmimet e grurit u rritën në tregjet botërore të mallrave.

Qeveria e Indisë tha se do eksportojë vetëm sasitë e grurit që janë kontraktuar më parë dhe për vendet që kërkojnë furnizime “për të përmbushur nevojat e tyre të sigurisë ushqimore”.

Zyrtarët qeveritarë thanë gjithashtu se ndalimi nuk ishte i përhershëm dhe mund të rishikohej.

Megjithatë, vendimi është kritikuar nga ministrat e Bujqësisë nga grupi i shtatë vendeve (G7) që takohen në Gjermani.

“Nëse të gjithë fillojnë të vendosin kufizime eksporti ose të mbyllin tregjet, kjo do të përkeqësonte krizën,” tha ministri gjerman i ushqimit dhe bujqësisë Cem Ozdemir.

Megjithëse India është prodhuesi i dytë më i madh në botë i grurit, ajo nuk ka qenë më parë një eksportues i madh pasi shumica e të korrave të saj shiten në tregjet e brendshme.

Por eksportet e grurit të Ukrainës ranë pas pushtimit rus. Dhe me thatësirat dhe përmbytjet që kërcënonin të korrat në prodhues të tjerë të mëdhenj, tregtarët e mallrave prisnin që furnizimet nga India të kompensonin një pjesë të mungesës.

Përpara ndalimit, India kishte synuar të dërgonte një rekord prej 10 milion ton grurë këtë vit.


TË NGJASHME