HomePolitikë

Johnson: Do të dalim nga BE-ja natën e Halloween

Kandidati për kryeministër i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, është gati që në muajin tetor ta largojë vendin nga Bashkimi Europian edhe pa një marrëveshje.

Ish-kryediplomati britanik tha në një intervistë për BBC se pakti ekzistues i negociuar nga kryeministrja në largim, Theresa May, ka marrë fund.

“Unë premtoj se do të dalim nga BE-ja natën e halloween më 31 tetor. Miqtë dhe partnerët tanë duhet ta kuptojnë se e kemi seriozisht, dhe se jemi gati të çlirohemi nga retë e disfatizmit dhe negativitetit që na kanë mbështjellë prej kohësh,”-tha Johnson.

Sipas Johnson, vendi nuk do të vuajë sa ç’përflitet në aspektin ekonomik, pasi raportet tregtare me BE-në do të rregullohen nga Organizata Botërore e Tregtisë.

Ai shtoi se sapo të zgjidhet kryeministër, do të nisë përpjekjet për marrëveshje të re me Brukselin.

Kandidati favorit për postin më të lartë qeveritar refuzoi të komentojë incidentet në jetën e private, dhe përkatësisht kontaktin e fundjavës së kaluar me policinë pas grindjes verbale me partneren në shtëpinë e tij.

Ndërkohë, një ditë më parë rivali dhe kryediplomati britanik Jeremy Hunt, theksoi se Johnson po i shmanget debateve ballë-për-ballë.

Njëri nga dy kandidatët e mbetur pritet të shpallet kryeministër dhe lider i konservatorëve në datën 22 korrik, kur do të shprehen me votë rreth 160 mijë anëtarë të Partisë Konservatore britanike.


TË NGJASHME