HomePolitikë

Kadri Veseli thirret në Hagë

kadri-veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha të enjten se është thirrur për t’u intervistuar në Dhomat e Specializuara në Hagë, që trajtojnë pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Zoti Veseli tha në një konferencë me gazetarë se në Hagë do të jetë më 4 dhjetor të këtij viti.

Ai tha se lufta e drejtë e popullit shqiptar për liri ka qenë e sulmuar vazhdimisht dhe që nga paslufta, ky është procesi i pestë i drejtësisë – të cilit i nënshtrohet kjo luftë.

Ai tha se në historinë e lëvizjeve çlirimtare nuk ka pasur një shembull të tillë, por edhe ky proces duhet të ketë një përfundim duke u bazuar në të vërtetën, faktet e drejtësinë, dhe që nuk e dëmton shtetin e Kosovës në pafundësi.

Ai shprehu bindjes së siç tha, edhe kjo gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe që do t’i ndalë goditjet ndaj të vërtetës së popullit dhe kësaj ushtrie.

Zoti Veseli një nga udhëheqësit e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, është një nga zyrtarët më të lartë të thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri tash janë paraqitur mbi 100 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara do të veprojë në Hagë, me ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s./ VOA


TË NGJASHME