HomePolitikë

Kalimi i dosjes 184 në Dibër, flet Mustafaj

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj i ftuar në “Opinion” në News 24 tha se kalimi i dosjes 184 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda te ajo e Dibrës, tregon kapitullimin e Krimeve të Rënda.

Mustafaj tha se nuk beson se Prokuroria e Dibrës ka kapacitet që të hetojë atë dosje, ndërsa shtoi se dosja e transferuar nga Arta Marku është një “pagesë” për tu zgjedhur si kryeprokurore.

“Fakti është që përgjimet janë bërë nga krimet e rënda. Që në origjinë është perceptuar si një krim që duhet të ndiqet dhe të dërgohet para drejtësisë nga Krimet e Rënda. Fakti që dosja kalohet tek Prokuroria e Dibrës, një prokurori që nuk ka kapacitete edhe sikur të ketë vendosmërinë morale për ta hetuar një dosje të tillë, nuk ka kapacitete për të hetuar një numër të madh ministra dhe ish-ministrash, përfshirë edhe kryeministrin. Dërgimi në periferi i proceseve hetimore i kësaj dosje tregon kapitullim të Prokurorisë të Krimeve të Rënda përpara presionit qeveritar. Është shumë shqetësuese për drejtësinë vetë. Kjo tregon një implikim të drejtpërdrejtë të Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku. Tregon si të thuash një “pagesë” që po bën paraprakisht për të rifituar vendin e saj si Prokurore e Përgjithshme. Pra është e pashpresë nëse këtë prokurori do ta drejtojë Arta Marku”, tha Mustafaj.

Në lidhje me ngjarjet në Shkodër, Mustafaj tha se PD vazhdon të mendojë se zgjedhjet e 30 qershorit ishin të paligjshme, kurse ka shtuar se Rama vijon të bashkëpunojë me krimin e organizuar dhe promovon figura të inkriminuara.

“PD nuk e njeh 30 qershorin si datë zgjedhjesh. Rama vazhdon që të bëjë zgjedhje të paligjshme. Jo vetëm kaq, por ai vazhdon të promovojë figura që janë të kriminalizuara. Maxhoranca nuk do dialog me opozitën”, u shpreh ai.

Besnik Mustafaj nënvizoi se opozita e bashkuar do të rinisë protestat në shtator, si formë e vetme kundër të keqes së madhe të Shqipërisë, qeverisjes së vendit.

“E vetmja gjë që nuk ndryshon është protesta. Opozita proteston, sepse nuk ka formë tjetër për të treguar se kjo qeveri ka humbur çdo lloj legjitimiteti. Për mua opozita duhet të çlirohet nga kompleksi i paqësores. Njerëzit janë të zemëruar. Ne shohim përditë protesta të fuqishme kudo në botë dhe këtu mund të jenë të njëjta protestat, të fuqishme, sepse e tillë është situata. Mendoj se protestat s’mund të jenë më si festë”, deklaroi ai.


TË NGJASHME