HomeSociale

Kanada/ “Black Friday” në dyqanet e kanabisit

Vitin e kaluar, Kanadaja u bë vendi i dytë në botë dhe i pari mes vendeve të G7-ës, që leagalizoi përdorimin e kanabisit për qëlime rekreative. Këtë të hënë, në Ontario është hapur rrjeti i parë i dyqaneve të shitjes me pakicë të kanabisit. E nuk kishte si të ndodhte ndryshe, radhë të gjata, klientësh të entuziazmuar pushtuan të gjitha dyqanet, në atë që rezulton të jetë tregu më i madh i marijuanës në Kanada.

Dyqani “Hunny Pot Cannabis Co”, u përball me një fluks të madh klientësh, të cilët qëndruan gjatë gjithë natës përpara vitrinave të dyqanit, ndërkohë në Ottawa, një klient sfidoi të ftohtin e acartë të natës, duke pritur dy orë në mes të të ftohtit, vetëm për të qenë i pari në radhë në dyqanin “Fire and Flower”.

“Jemi në çeljen e tregut të parë të shitjes me pakicë në Ontario, qyteti më i madh në Kanada, e kemi pritshmëri të larta për ecurinë e dyqanit tonë në këtë provincë”, tha Trevor Fencott, shefi ekzekutiv i “Fire and Flower”.

Ai shtoi: “Ne presim shitje tejet të shpejta sot”.Ndërkohë që shumë klientë, mësynë në ambientet e dyqanit sikur të ishte “Black Friday“.

Shitësi me pakicë, i cili veç ambientit në tregun “Byward” në qendër të Ottaws ka edhe 9 dyqane të tjera në Alberta dhe Saskatchewan, ka bashkëpunuar me një kontabilist lokal dhe me një ish-shitës pajisjesh elektroshtëpiake për ngrohje/ftohje për të hyrë në tregun e Ontarios.

Në Kanada, përgjatë 6 muajve, një grumbull dyqanesh “online” dhe fizikë kanë “mbirë” në mbarë vendin, pasi secila provincë hartoi kuadrin e vet të shitjes me pakicë të marijuanës.


Ontario nisi të shesë kanabisin përmes një portali “online” në tetor, ndërkohë që një lotari u hodh në dhjetor për pronarët e ardhshëm të dyqaneve të marijuanës. Vetëm 10 prej fituesve mundën të hapnin dyqanet në kohë, të hënën e kësaj jave. Ndërkohë, në Quebec pati radhë të jashtëzakonshme jashtë dyqaneve të drejtuara nga qeveria, gjatë muajve të parë të shitjes.

“Nga çfarë po shoh, këta paskan bërë një punë të shkëlqyer sa i përket zbukurimit të dyqanit dhe sofistikimit”, tha David, një prej klientëve të parë të dyqanit “Hunny Pot”. “Përgjithësisht ishte një eksperiencë e këndshme të blija diçka të tillë në një dyqan të ligjshëm dhe për të rritur”.


TË NGJASHME