HomeSociale

Kandidatët e fundit për SPAK, zbardhen pyetje-përgjigjet para KLP e ndërkombëtarëve

Këshilli i Lartë i Prokurorisë përfundoi intervistat e kandidatëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe gjatë javës që vjen pritet të përfundojë pikëzimin dhe renditjen.

Ndërkohë, këtë të premte u pyetën nga KLP-ja dhe ndërkombëtarët prokurorët e Krimeve të Rënda, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, prokurori i Tiranës Ndini Tavani dhe Maksim Sota, prokuror në Vlorë.

Që në fillim të kësaj jave, KLP-ja nisi të ballafaqojë gjetjet nga shqyrtimi i dokumentacionit për 22 kandidatët dhe kërkoi edhe opinionin e tyre për një sërë çështjesh, konkrete dhe parimore. Intervistimi ishte një nga fazat më të rëndësishme të përzgjedhjes së anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme, proces i cili do të përfundojë pasi të gjithë kandidatët të kalojnë kontrollin e trefishtë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

INTERVISTAT

Gjatë ditës së djeshme, Këshilli pyeti dy nga prokurorët me të lakuar publikisht këto kohë, kjo për shkak të dosjes “339” që kanë nën hetim. Kështu, prokurori Vladimir Mara, teksa ka prezantuar punën e tij disavjeçare në Prokurori, ka dhënë shpjegim edhe në lidhje me një dosje për narkotikët e vitit 2016 dhe zgjatjen e afatit të një çështjeje që ka hetuar. “Prokurori Mara tregoi për goditjen e grupeve kriminale, si ai Tepelenës, për dosjen ‘339’ me 74 personat nën hetim për disa vepra penale, sekuestrimin e sasisë së heroinës në Kosovë.

Mara ka folur edhe për bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare në luftën kundër krimit organizuar, duke përdorur metodat speciale të hetimit. Prokurori Mara është pyetur për afatin e zgjatjes së një çështjeje nga ato që ka hetuar dhe se çfarë bën për ta mbajtur mendjen të shëndoshë, duke pasur parasysh presionin dhe stresin me punën”, njoftoi dje KLP-ja. Prokurori ka shpjeguar se gjatë karrierës së tij ka pasur në dorë dosje të rëndësishme dhe secila nga ato me specifikat e veta mund të jetë një dosje e ardhshme e SPAK-ut.

“Kam paraqitur për vlerësim dosjet që kanë mbaruar dhe secila prej tyre ka specifikën e një dosjeje të ardhshme të SPAK-ut dhe aktualisht kam 12 dosje nën hetim. Kam hetuar shumë zyrtarë të lartë shtetërore nga ishministrat, ish-deputetë etj.. Me pavarësinë e prokurorëve që buron nga ligji i ri rritet dhe përgjegjësia për punën që bëj”, tha Mara.

DRITAN PRENÇI

Prokurori i komanduar në Prokurorinë për Krime të Rënda, Dritan Prençi, gjatë intervistimit foli për 9 vitet e tij në Prokurorinë e Tropojës dhe 5 vite si drejtues i Prokurorisë së Kukësit. Prençi ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Jaho Mullosmani, dënimet për 2 anëtarë të familjes Haklaj.

“Përfaqësoj në Gjykatë aktualisht 2 çështje me zyrtarë të lartë në hetim, ish-ministrin e Brendshëm, ishdrejtorin e Burgjeve, i akuzuar për korrupsion. Besoj se cilësitë e mia dhe eksperienca ime janë ato të duhurat për të qenë pjesë e SPAK-ut. Aktualisht kam mbi 40 çështje nën hetim, me më shume se 5 gjyqe në ditë”, tha Prençi para KLP-së.

I pyetur nëse ka pasur kërcënime apo presione gjatë punës së tij, Prençi e ka pranuar se ka pasur, por sa kohë që vepronte konform ligjit, nuk ishte luhatur në vendimet e marra. “Po, kam pasur për shkak të akuzës që ngrita. Unë i rezistova presionit dhe aktualisht përfaqësoj në Gjykatë rastin e tij. Nuk do të luhatem në vendimmarrjen time, për sa kohë veproj konform ligjit”, tha Prençi. Ndërkohë, në lidhje me vështirësitë që mund të hasë SPAK-u në hapat e tij të parë, prokurori ka parë problem mungesën e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Ndoshta mungesa e BKH-së, duhen ngritur sa më shpejt strukturat për hetim në mbështetje të punës së prokurorëve”, pohoi Dritan Prençi.

MAKSIM SOTA

Prokurori Maksim Sota e ka nisur detyrën në Prokurorinë e Vlorës dhe ka qenë drejtues i kësaj prokurorie për disa vite. Gjatë intervistimit, Sota ka shprehur ambicien e tij për hetime të rëndësishme dhe ka thënë para Këshillit se mban përgjegjësi të plotë për dosjet që ka hetuar. “Kam kërkuar gjithmonë të hetoj dosje të vështira dhe të përdor njohuritë e mia në ngritjen e akuzës. Kam mbajtur përgjegjësi maksimale për dosjet që kam pasur në hetim dhe të cilat kanë përfunduar në Gjykatë me vendime të formës së prerë”, tha Sota.

KLPja ka pyetur edhe prokurorin Ndini Tavani, i cili mban aktualisht detyrën e kryetarit të Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe prokuror në Njësinë Antikorrupsion në Tiranë.

Ai ka qenë pjesë e grupit hetimor që ka ndjekur vrasjen e bankierit Artan Santo. Po kështu, ai ka qenë prokuror edhe në çështjen e Bankës së Shqipërisë. Pyetjet për Tavanin kishin të bënin me cilësitë që do të sillte në SPAK, çfarë do të thoshte SPAK, në botëkuptimin e tij juridik dhe njerëzor./panorama.al


TË NGJASHME