HomePolitikë

Kaosi politik: Digjen mandatet, Shqipëria me parlament njëpartiak

Opozita dorëzoi dje publikisht mandatet e deputetëve pas një proteste masive që u mbajt para Parlamentit. Basha: Të rrëzojmë regjimin e ‘Maduros së Ballkanit’, opozita parlamentare dorëzoi mandatet dhe i vuri kyçin parlamentit të krimit. Reagon Rama: Nuk jam i pagabueshëm, zgjedhjet do jenë në qershor dhe në vitin 2021, dora e dialogut për opozitën do jetë e shtrirë. DASH i kërkon opozitës të mos dorëzojë masivisht mandatet dhe të dënojë aktet e dhunës.

Akti i fundit final i opozitës për djegien e mandateve u shënua mesditën e djeshme, kur të gjithë në bllok deputetët e opozitës, me përjashtim të pesë prej tyre, dorëzuan në Kuvendin e Shqipërisë mandatet e deputetëve. Gjithçka nisi në mënyrë të organizuar para Parlamentit në protestën e madhe të thirrur nga opozita dhe pas disa deklaratave, fjalën e fundit e mbajti kryedemokrati Lulzim Basha që ftoi pjesëmarrësit t’i bashkoheshin në “marshimin e fundit” si deputet, drejt Kryesisë së Kuvendit. Shtatë minuta zgjati ajo procedurë dhe zyrtarisht vendi dje është pa përfaqësim opozite në Parlament. Pas këtij akti politik, Kryedemokrati Lulzim Basha paralajmëroi protesta në të gjithë Shqipërinë. “Shqipëria do jetë e njerëzve të ndershëm të këtij vendi që duan t’i japin fund padrejtësisë. Duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë. Duan t’i japin fund parlamentit të krimit. Së bashku me vullnetin tuaj, me zgjedhje europiane do kemi një qeveri të popullit, për popullin dhe nga populli. Shqipëria do ketë një të ardhme, ky është mesazhi i gjithë popullit. Bëhuni gati anembanë vendit. Zoti e bekoftë Shqipërinë, fitore”, tha Basha në fjalën e fundit të mbajtur në oborrin e Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, përfaqësuesit ndërkombëtarë tentuan “të rikthenin” vendimin e opozitës, duke kërkuar që të mos shkohet në vendimin ekstrem të djegies së mandateve dhe bënë thirrje që protestat të ishin të qeta, pa akte dhune. Opozita “sugjerimin” e parë të ndërkombëtarëve nuk e mori në konsideratë, ndërsa protesta ishte më se e qetë, pa asnjë incident të vogël, pavarësisht mijëra protestuesve mbështetës të opozitës. Ky zhvillim i paradites solli reagimin e kryeministrit Edi Rama në një konferencë të gjatë shtypi. Nën emocione dhe herë pas here luhatje të zërit Rama tha se edhe ai kishte mëkatet e tij në raport me opozitën, por u shpreh i vendosur për të vijuar i qetë mandatin, që sipas tij populli ia dha masivisht në vitin 2017 dhe pavarësisht aktit të opozitës është i vendosur për të mos u tërhequr dhe zgjedhjet parlamentare do mbahen në vitin 2021.


TË NGJASHME