HomeSociale

Kartat ID, zv.ministrja: Aplikoni më herët…

Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile Bledar Doracaj inspektuan zyrat e aplikimit për kartat e identitetit në Njësinë Administrative Nr. 8 e 9 në kryeqytet.

Ajo ka apeluar që qytetarët, të cilëve u përfundon afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit ID, t’u drejtohen zyrave të aplikimit sa më shpejt për të shmangur radhët e fundvitit.

“Kemi vënë re një ulje të fluksit të aplikimeve për karta të identiteti kohët e fundit, kjo ndoshta edhe për shkak të vendimit për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë, por ne u bëjmë thirrje qytetarëve të vijnë të aplikojnë, të mos e lënë për momentin e fundit, pra në dhjetor, pasi do të ketë një fluks tjetër, i cili ai është i lëshimit të pasaportave biometrike, çka do të vështirësojë në një farë mënyrë edhe pajisjen me karta identiteti.

Sigurisht që pajisja me kartat e reja shërben që edhe qytetarët të marrin shërbime në institucione të tjera publike apo private, si në banka apo për lëvizjet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në ato vende ku lëvizet me karta identiteti, kështu që duke qenë se infrastruktura është ngritur në bashkëpunim edhe me njësitë e qeverisjes vendore dhe qytetarët tashmë kanë mundësinë që në mënyrë komode të vijnë e të pajisen me karta, ne u bëjmë thirrje të gjithëve, të mos e lënë për moment të fundit, të vijnë, të aplikojnë dhe të pajisen me kartat e reja të identitetit”, apeloi zv.ministrja e Brendshme.


TË NGJASHME