HomeSociale

Kartëmonedha e re 10 mijë lekë, ja kur del në qarkullim

Burimet në Bankën e Shqipërisë njoftuan se kartëmonedha e re 10 mijë lekë, preja më e madhe parasë e nxjerrë në emetim deri më tani do të dalë në qarkullim në tremujorin e fundit të këtij viti.

Vitin e kaluar banka e Shqipërisë nisi prezantimin e serisë së kartëmonedhave. Seria e re e ka 6 prerje, 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe prerjen e re 10000 Lekë.

Kartëmonedhat 200 lekë dhe 5000 lekë u hodhën në qarkullim duke filluar nga data 30 shtator 2019, ndërsa këtë vit do të hidhen në qarkullim kartëmonedhat 10,000 lekë dhe 1,000 lekë duke filluar tremujori i fundit i vitit.

Kartëmonedha 2,000 lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga fundi i vitit 2021 dhe  kartëmonedha 500 lekë do të hidhet në qarkullim duke filluar nga viti 2022.

Gjithashtu mësohet se kartëmonedha 10,000 lekë që del për herë të parë në treg ende nuk është prezantuar si imazh nga Banka e Shqipërisë, por sipas vendimit të Këshillit të Mbikëqyrjes, Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të ‘Flamurit Kombëtar’, si dhe një varg të zgjedhur nga ‘Himni Kombëtar’, ‘Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim’.

Kartëmonedhat ekzistuese, të të gjitha prerjeve, do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja. Gjithsesi, edhe pas humbjes së kursit ligjor, kartëmonedhat ekzistuese do të ruajnë vlerën e tyre dhe do të mund të shkëmbehen me të rejat për të njëjtën vlerë.

K.S/GotaNews


TË NGJASHME