HomeRajon

Katastrofa natyrore në Greqi, ende persona të zhdukur

Çdo moment që kalon, shtohet ankthi për personat që vazhdojnë të jenë të zhdukur prej katastrofës natyrore në Greqi

Shtatë persona humbën jetën dhe mbi 100 persona u plagosën nga shtrëngata e furishme që shpërtheu mbrëmjen e së mërkurës në Halkidiki, në Greqinë veriore.

Kufoma e fundit u gjet në mes të Sozopolit dhe Neë Kallikratia, gjashtë milje detare nga bregu. Trupi i pajetë i përkiste një peshkatari 62-vjeçar që ishte zhdukur që nga e mërkura në mbrëmje.

6 viktimat e tjera ishin turistë, një çift çek, një grua dhe një djalë 8-vjeçar nga Rumania dhe  babë e bir nga Rusia.

Në qendrat spitalore janë shtruar pacientë nga mosha 8-muajshe deri në 70 vjeç si pasojë e lëndimit nga rrëzimi i pemëve apo objekteve të tjera.

Shefi i emergjencave civile në Greqinë veriore tha se fenomeni i paprecedentë natyror e akumuloi forcën e vet shkatërrimtare brenda 20 minutave.

Në ditët e fundit, vendi mesdhetar po përjetonte temperatura të nxehta që kalonin 37 gradë Celsius.

Temperaturat e larta në kontakt me një valë të ftohtë të ardhur nga Oqeani Atlanik mendohet se këtë javë kanë krijuar një korridor shtrengatash që ka kaluar fillimisht Spanjën dhe orët e fundit edhe Italinë, Shqipërinë, Malin i Zi dhe Maqedoninë.

Pamjet e lëshuara më së fundi janë filmuar nga kamerat e një automjeti që po udhëtonte në rrugën Silata-Kallikratia kur shpërtheu stuhia.

Pasagjerët e mjetit thanë për mediat greke: “Ishte gjëja më e frikshme që kemi përjetuar ndonjëherë. Gjithçka filloi brenda sekondave, nuk shikonim asgjë dhe për një moment menduam se do të na ngrinte makinën në ajër. Disa nga pasagjerët ishin në panik dhe prandaj vazhduam udhëtimin tonë në përpjekjet për të kaluar nëpër stuhi. Për fat të mirë, shoferi ynë e dinte rrugën. Ne mund të kishim goditur nga pemët që ranë në trotuar, vetëtima apo mbeturinat që goditën makinën. Ne shpëtuam falë një mrekullie.”

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=HeNTeNSfY0A&w=830&h=529]

Katastrofa e madhe e lënë pas nga stuhia vdekjeprurëse dëshmohet edhe nga këto fotografi ajrore të realizuara me dron.


TË NGJASHME