HomeRajon

Kërcënimi i Turqisë me refugjatët, Athina i kërkon ndihmë NATO-s

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i bëri thirrje NATO-s, që të shtojë numrin e patrullimeve detare në Egje, pasi Turqia ka kërcënuar se do të lejojë një fluks të ri të migrantëve që të shkojnë në Greqi.

“Unë i kam kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, që anëtarët e Aleancës, të forcojnë praninë e tyre me më shumë anije në Detin Egje. Ne po kërkojmë që misioni të shtrihet në jug, në mënyrë që ata të mund të mbulojnë plotësisht kufijtë detarë”- tha kryeministri i Greqisë.

Presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan, tha se Ankaraja do të dërgonte 3.6 milion refugjatë sirianë nga Turqia në Evropë, nëse shtetet evropiane e konsiderojnë operacionin ushtarak turk në Siri si okupim.

Zyrtarisht ka rreth 70.000 migrantë dhe refugjatë në Greqi. Numri i tyre po shtohet çdo ditë, gjë që bën presion shtesë në kampet e mbipopulluara në ishujt grek.

NATO-ja aktualisht ka gjashtë anije patrullimi në Detin Egje që monitorojnë lëvizjet e anijeve migruese në hyrje dhe, përveç Agjencisë Kufitare Evropiane (Frontex), i informojnë edhe Rojet Bregdetare të Greqisë dhe Turqisë.

Stoltenberg kujtoi se ai tashmë u ka bërë thirrje vendeve aleate të NATO-s, që të sigurojnë anije shtesë, por që angazhimet shtesë kërkojnë konsensusin e të gjithë anëtarëve të NATO-s.


TË NGJASHME