HomePolitikë

Kërkesa e Presidentit për KQZ-në, a do shpërndajë Kuvendin?

Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një kërkesë kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zgurit, përmes së cilës kërkon informacion për numrin e plotë të deputetëve aktualë të tij.

Meta0kushtetuta

Mësohet se Presidenti i Republikës po e shqyrton opsionin e shpërndarjes së Parlamentit aktual, i cili nuk ka 140 deputetë, aq sa është përcaktimi i tij në Kushtetutë. Aktualisht, Parlamentit i mungojnë 18 deputetë pas shterimit të listave të opozitës për plotësimin e vendeve vakante.

Neni 64 i Kushtetutës sanksionon në pikën 1 të tij se “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore”.

Shkresa zyrtare që disponohet nga gazeta “Panorama” mban firmën e sekretares së përgjithshme të Presidencës, Ornela Zonja, dhe kërkohet një informacion në një kohë sa më të shpejtë. “Cili është numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në shkallë vendi? Vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt, si dhe listën emërore të deputetëve në shkallë vendit”, pyet institucioni i Presidentit në dokument.

Në letër, sekretarja e përgjithshme e Presidencës thekson se Presidenti kërkon marrjen e këtij “informacioni në një kohë sa më të shkurtër dhe shqyrtimin e kësaj kërkese me përgjegjësi të lartë shtetërore”. Në letrën e Presidencës drejtuar KQZ-së sillet në vëmendje fakti se ky Komision, në përfundim të zgjedhjeve parlamentare të 2017-s ka miratuar numrin e plotë të deputetëve që duhet të përfaqësojnë zgjedhësit në të gjitha zonat zgjedhore.

Por në letrën e Presidencës thuhet se në shkurt të këtij viti, deputetët e opozitës në bllok dorëzuan mandatet e tyre, ndërkohë që jo të gjithë vendet në Parlament janë zëvendësuar. Për këtë fakt, kreu i shtetit kërkon një informacion zyrtar nga KQZ-ja për numrin aktual të deputetëve në Kuvend, tani që ka përfunduar zëvendësimi i deputetëve që dorëzuan mandatin me kandidatët në listat e dy partive kryesore, PD dhe LSI.

PRESIDENTI

Kreu i shtetit, si për të motivuar kërkesën e tij drejtuar KQZ-së, u shpreh dje se është zgjedhur nga një Parlament legjitim dhe jo si ky, duke lënë të kuptohet legjitimiteti i Parlamentit aktual.

I pyetur nëse ka reflektuar pas votimit të rezolutës me 100 vota nga shumica, Meta tha: “Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti, jo nga ky, nga një Parlament plotësisht legjitim. Presidenti i takon Republikës dhe Republika vetëm qytetarëve”. Meta tha se po punon për të shpallur një datë të re për zgjedhjet vendore dhe u bëri thirrje institucioneve që të zbatojnë dekretin e tij. Dekreti është në fuqi, i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin. Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurt që do të kenë të gjitha pasojat, që provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend”, u shpreh Meta.

1

Ai i cilësoi të çmendur ata që dalin mbi dekretet e Presidentit të Republikës. “Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet, përkundrazi, i fton të gjithë të izolojmë çdo të çmendur, i cili në këtë ditë të dhurimit të gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse vetëm ato sigurojnë çeljen e shpejtë të negociatave për BE, që është objektiv i të gjithë shqiptarëve. Dekreti është në fuqi, është i zbatueshëm dhe i detyrueshëm për të gjithë. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë, le të vazhdojë, është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë që çdo ditë të bëjë thirrje për reflektim”, pohoi Meta./panorama.al

2


TË NGJASHME