HomeSociale

Këshilla praktike për udhëtimet me makinë në dëborë

Gomat janë kontakti i parë dhe i vetëm i makinës tuaj më rrugën dhe jo më kot ekspertët e makinave dhe gomave thonë: “Nuk ka rëndësi se në çfarë gjendje është makina juaj, pasi pika e vetme e kontaktit me rrugën janë gomat”. Roli i gomave të makinës bëhet edhe më imediat kur kushtet atmosferike rëndojnë asfaltin si në kohë me shi apo dhe më keq akoma me dëborë. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë përdorimin e gomave dimërore nga data 15 nëntor e deri në muajin mars.

Si t’i dalloni gomat dimërore? Ato mbajnë të mbishkruar shenjën M + S, MS, M & S, ose ndonjë shenjë tjetër identifikuese nga prodhuesi i pneumatikëve që ka të bëjë me gomat dimërore. Me gomat dimërore automjeti juaj do ketë më shumë stabilitet në rrugë pavarësisht nga kushtet atmosferike por kjo ndoshta nuk ju shpëton nga zinxhirët nëse lëvizja në rrugë vështirësohet ekstremisht nga bora.

Megjithatë, në kushte të rënduara të motit siç po kalon vendi ynë ditët e fundit ku bora është prezente në thuajse 80% të territorit të vendit, nevojitet edhe përdorimi i zinxhirëve në segmente të caktuara, në varësi të territorit. Përdorimi i zinxhirëve dhe gomave dimërore këshillohet nga ekspertët rrugorë për të shmangur aksidentet e mundshme në rrugë të cilat mund të rezultojnë edhe me pasoja fatale.

Disa vende, edhe ato të rajonit, e kanë detyrim ligjor përdorimin e gomave dimërore pas datës 15 nëntor, sanksionim i cili nuk parashikohet në vendin tonë, por megjithatë drejtuesit e automjeteve këshillohen të pajisin automjetet me goma dimërore si dhe janë të detyruar në raste kushtesh të rënduara atmosferike, që të përdorin zinxhirët. Në rast se ju zë bora teksa po i jepni automjetit tuaj dhe rruga ka prezencë të saj çka vështirëson udhëtimin, mos hezitoni të përdorni edhe zinxhirët si një formë mjaft praktike dhe e përkohshme.

Periudha mars-prill konsiderohet si fundi i përdorimit të gomave dimërore të cilat duhet të zëvendësohen me ato verore. Kjo për arsye pasi me ngritjen e temperaturave, gomat e dimrit bëjnë shumë zhurmë, konsumohen më shumë dhe koha e frenimit është më e gjatë.


TË NGJASHME