HomeSociale

Këtë javë nis rritja e temperaturave, por edhe reshjet e shiut

Përkeqësimi i motit në vend është ndierë më shumë në juglindje, ku reshjet e dëborës shkaktuan madje probleme në qarkullim. Në disa zona, trashësia e dëborës arriti mbrëmjen e së dielës në 1 metër, duke bllokuar edhe lëvizjen.

Në Kapshticë, pala greke nuk lejoi kalimin e autobusëve dhe makinave të tonazhit të lartë deri në mbrëmje, ndërkohë që Dardha dhe Mokra u izoluan. Gjithsesi, më vonë Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se të gjitha akset nacionale ishin të kalueshme.

Por si do të jetë moti në ditët në vijim?

Nëntori këtë vit ka regjistruar një rekord sa u përket temperaturave. Nisi me temperatura të larta, aq sa në Durrës kishte ende njerëz që bënin plazh, vazhdoi me ditë pranverore e me diell, derisa në fundjavë pësoi një ndryshim drastik me ulje temperaturash dhe me reshje dëbore në zonat juglindore.

“Kjo luhatje e motit ka qenë e parashikuar dhe jo surprizë.  Ulja e temperaturave nisi që nga mesjava e kaluar, por me ardhjen e vranësirave pamë edhe reshje bore në zonat malore dhe reshje shiu në pjesën më të madhe të Ultësirës Perëndimore. Sot gjatë natës pritet të kemi zhvillim të vranësirave, me shira në zonat bregdetare, ndërsa bora do të zhvendoset në zonat verilindore. Moti i paqëndrueshëm do të vijojë edhe gjatë mesit të javës, ndërsa bora do të shihet vetëm në majat e maleve. Që nga e mërkura temperaturat do të kalojnë në vlera pozitive në të gjithë vendin. Për shkak të reshjeve, më problematike situata pritet të jetë në veri-veriperëndim, me Shkodrën, Lezhën, Laçi e Kruja që do të kenë reshje shiu me intensitete mesatare dhe intensive. Moti përmirësohet nga fundjava, me reshjet që pritet të rikthehen në datën 26 nëntor”, tha Lajda Porja, sinoptikane./tch


TË NGJASHME