HomeLajmi i Fundit

KLP ndërpret urdhrat e Prokurorisë së Përgjithshme

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ndërpreu 13 komandime të prokurorëve, duke i kthyer në detyrë në vendet ku ata janë emëruar.

Të gjitha komandimet e ndërprera ishin bërë më herët nga Prokurori i Përgjithshëm dhe sipas Këshillit, kjo vendimmarrje bëhet në funksion të marrjes së kompetencave të plota, që tashmë i njeh ligji me ndryshimet në kuadër të Reformës në Drejtësi.

“Nisur nga gjendja aktuale dhe nga domosdoshmëria për implementimin e ligjeve në kuadër të Reformës në Drejtësi, të ushtrimit të kompetencave të plota të KLP-së sipas organikave të miratuara, miradministrimin e strukturës drejtuese pranë çdo prokurorie sipas emërtesës dhe disiplinimin e punës në çdo rreth gjyqësor dhe implementimin e kushteve të parashikuara në ‘Rregulloren për caktimin e përkohshëm të prokurorëve’, çmohet e domosdoshme procedimi me vendimmarrje i KLP-së për ndërprerjen e caktimeve të përkohshme në prokurori të ndryshme nga ato ku prokurorët kanë emërimin, të kryera nga Prokurori i Përgjithshëm”, njoftoi dje KLP-ja.

Të 13 prokurorët rezultonin se ushtronin detyrën në këto prokurori prej rreth një viti. Gjatë kësaj kohe kanë pasur nën hetim një sërë dosjesh, që tashmë do të merren nga të tjerë prokurorë. Aktualisht, janë 27 caktime të përkohshme të kryera me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm ende në fuqi, 8 prej të cilave janë caktime të përkohshme me cilësinë e drejtuesit të prokurorisë.

LËVIZJET

Në seancën e djeshme, Këshilli ka miratuar me 9 vota pro dhe 1 kundër(Kostaq Beluri) projektvendimet për ndërprerjet e caktimeve përkohshme  të 13 prokurorëve të caktuar në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm: Arben Allajbeu, prokuror i caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Durrës; Astrit Halili, prokuror i caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Krujë; Agim Dalipaj, prokuror i caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Lezhë; Agron Gjana, prokuror i caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Tiranë; Ajola Prençi (Ymeri), prokurore e caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Shkodër; Edina Kurti, prokurore e caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Durrës; Elidon Hysenaj, prokuror i caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Tiranë; Erjon Shqarri, prokuror i caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Tiranë; Esmeralda Ndoci, prokurore e caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Elbasan; Gentjan Habazaj, prokuror i caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Tiranë.

Ky vendim është votuar me 8 vota pro dhe 2 kundë r(anëtarët Kostaq Beluri dhe Bujar Sheshi); Kreshnik Ajazi, prokuror i caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Tiranë; Saimir Bahiti, prokuror i caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Gjirokastër; Suela Beluli, prokurore e caktuar përkohësisht në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Durrës. Prej disa muajsh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka bërë disa komandime të përkohshme në disa prokurori, me qëllim që plotësojë vakancat e krijuara në prokuroritë e rretheve nga largimet dhe shkarkimet, si pasojë e procesit të vetingut./PANORAMA