HomePolitikë

Zbardhen detajet e Koalicionit Opozitar/ Kryemadhi: Platformë për rifuqizimin e ekonomisë

Zbardhen detaje nga takimi i koalicionit opozitar, ku në fokus ishte çështja e situatës ekonomike në vend dhe pamundësina e qytetarëve.

Sipas partive të Opozitës së Bashkuar pandemia e ekonomisë po e çon Shqipërinë drejt kolapsit ekonomik dhe se qeveria nuk po i ndihmon shqiptarët dhe po e çon vendin drejt një krize të madhe.

Kryetari i PD Lulzim Basha ka informuar aleatët mbi shqetësimet dhe kërkesat e paraqitura nga përfaqësuesit e bizneseve.

“Qeveria i ka braktisur. Nuk i dëgjon, nuk i pret, nuk do t’ia dijë për shqetësimet dhe problemet e tyre. Është detyra jonë jo vetëm të jemi zëri i tyre, por të ridimensionojmë planin tonë për shpëtimin e ekonomisë, për ruajtjen e vendeve të punës, duke marrë parasysh pasojat që ka krijuar kriza. Qytetarët po humbin vendet e punës dhe situata është emergjente. Duhet angazhim i shpejtë dhe intensiv nga të gjithë ne. Kam parë dhe takuar vetë njerëz që nuk kanë marrë asnjë lek ndihmë nga qeveria. Biznese që nuk kanë përfituar asnjë ndihmë dhe po mbyllen.” – mësohet të jetë shprehur Lulzim Basha.

Më pas është diskutuar në detaje menaxhimi i situatës nga Qeveria. Në mbledhje është argumentuar se Qeveria e keqmenaxhoi krizën e shkaktuar nga pandemia në dëm të shqiptarëve.


“Aksioni opozitar do të shtrihet në takime të përditshme në të gjithë Shqipërinë. “Edi Rama nuk mendon për shqiptarët, por për karrigen e tij. Ai i dërrmoi të varfrit dhe shkatërroi shtresën e mesme. Është përgjegjësia jonë të jemi pranë tyre.” – është shprehur Basha.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur pas takimit të aleatëve opozitarë në selinë e PD-së, ku theksoi se në takim është diskutuar përgatitja e një platforme për rifuqizimin e ekonomisë shqiptare.

“Uria për tu takuar me atë strukturë që i jep zgjidhje kësaj situate alarmante është e madhe. Zoti Basha ka qenë në takim dhe ne kemi pasur takimet tona. Njerëzi presin për të qarë hallin. Çdo shqiptar është në ditën më të zezë ekonomike. pandemia e COVID është shndërruar në pandemi ekonomike e ka shkatërruar ekonominë shqiptare. Ajo që diskutuam sot është përgatitja e një platforme për rifuqizimin e ekonomisë shqiptare, të biznesit të vogël, të biznesit të mesëm që është sot në ditët më të vështira”, tha Kryemadhi.

Sa i përket reformës zgjedhore ajo tha se duhet të mbarojë në mënyrë urgjente.
“Dua të bëjë një sqarim se përveçse, nesër është grupi i punës i këshillit politik. këshilli politik përbëhet nga 10 vetë, 5 nga opozita jashtëparlamentare 5 i ka parlamenti. Grupi i punës përbëhet nga 4 vetë, që bëjnë përgatitjen e materialeve. Ta sqarojmë këtë se nuk e kuptojnë, edhe ambasadorët se bëjnë gafa diplomatike. nesër është takimi i radhë për t’u përgatitur me punët që janë lënë në harresë. Ne jemi shumë të qartë dhe të vendosur që reforma zgjedhore që është kushti i parë duhet në mënyrë urgjente të mbarojë. Mbyllja e reformës çon vendin drejt një zgjidhjeje që janë zgjedhjet e reja. Se janë dy miratimi dhe implementimi”, tha ajo.

Në një deklaratë për mediat pas takimin me aleatët në selinë e PD, Kryemadhi tha se legalizmi i kanabisit është legalizimi i grupeve kriminale.

“Si gjithmonë Edi Rama është kryemashtruesi dhe një mashtrues qesharak. Besoj se e mbani mend që vendosi në një pozicion të vështirë dhe ambasadorin e BE-së në selinë e BE-së. Është një moment për të larguar vëmendjen nga varfëria që ka pllakosur shqiptarë. Legalizim i grupeve kriminale, fuqizim i tyre. Legalizimi i kanabisit një nga skandalet e radhës, një nga shashkat e radhës që Rama hedh”, tha Kryemadhi.

K.S/Gotanews


TË NGJASHME